Alumni Awards është eventi i përvitshëm i Universitetit Metropolitan Tirana që nderon studentët e diplomuar, tashmë të suksesshëm në profesionet e tyre.
Me mbi 1,500 të diplomuar, UMT është kthyer në një institucion elitar të formimit të studentëve në shkencat ekzakte përmes programeve të studimit në inxhinieri, arkitekturë, shkenca kompjuterike dhe ekonomi.
Në fjalën e tij, Rektori i UMT Nikolla Civici prezantoi edhe të dhënat e fundit, sipas së cilave 75% e studentëve janë të punësuar në përputhje të plotë me profilin e tyre të studimeve.
“Punësimi në kompani prestigjioze brenda gjashtë muajve nga diplomimi është një fakt i pamohueshëm që na konfirmohet sërish, Por ka edhe një tjetër shifër është shumë domethënëse, si ajo e punësimit në përputhje me shkollimin e kryer, ku 75% e studentëve punojnë plotësisht në profilin e tyre. Është shembulli më i qartë dhe e dhëna më motivuese se gjithë puna që kemi bërë ndër vite në hartimin e programeve, në bashkëpunimin e ngushtë me sipërmarrjen dhe institucionet shtetërore, që është kthyer në kryefjalë të punës sonë të përditshme, ka qenë në drejtimin e duhur, me vizionin qartë për t’u dhënë studentëve mundësinë të mendojnë globalisht, duke studiuar në Shqipëri”, ka thënë Civici.
Në fjalën e tij, Rektori i UMT gjithashtu prezantoi edhe studimet doktorale në Inteligjencë Artificiale dhe në Sisteme Inteligjente, në partneritet me Universitetin Gustav Eiffel (Paris, France), Institut National de Sciences Appliquées (Grenoble, France), Ecole Centrale – Supelec/ CNRS (France), University of Tennessee at Chattanooga (SHBA), me një formë unike që siguron studime në Francë e në Shqipëri, punësim dhe mbështetje në kërkim shkencor dhe me kosto zero për doktorantët.
Presidenti i UMT, Arjan Çukaj u shprehu mirënjohjen studentëve të diplomuar ndër vite, që sipas tij janë ambasadorët më të mirë të universitetit.
“Jemi ndjerë krenar për shumë arritje që janë shënuar në këto vite nga studentët dhe nga universiteti. Kemi prezantuar gjithashtu sfidat nga universiteti Metropolitan Tirana që e bëjmë thuajse përherë dhe këtë herë ka qenë prezantimi i doktoraturave në programin e inteligjencës artificiale. Mund të themi se është universiteti I vetëmn që është fokusuar në shkencat inxhinierike dhe ka prekur edhe këtë fushë tashmë”, ka thënë ai.
Në një mjedis me personalitete të shquara të fushës akademike dhe jo vetëm, studentë të diplomuar ndër vite në UMT dhe bashkëpunëtorë, ishte Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi që vlerësoi rolin e Universitetit Metropolitan si një institucion që gjithmonë ekspertizën e vendos në shërbim të komunitetit dhe institucioneve publike.
Gjatë ceremonisë Alumni Aëards, u akorduan Çmimi i Ekselencës në Edukim për Xhuljana Spahiu, Çmimi Alumni i Shquar për Amarildo Ahmati, Çmimi i Karrierës për Evis Sako, Çmimi i Kontributit Alumni për Reiner Broqaj, ndërsa profesoreshë Fatlinda Struga, pedagoge në programin e arkitekturës, u nderua me Çmimin “Profesori Im”, votuar nga studentët në këtë edicion të vitit 2023./abcnews.al

