Real Madrid mbyll me fitore fazën përgatitore, në vigjilje të sezonit të ri në La Liga që nis këtë fundjavë.
Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso shkëlqeu në suksesin 4-0 në miqësoren e luajtur në Austri kundër Tirol.
Gjithçka e lehtë për madrilenët, që dhanë sinjale të rëndësishme por edhe projektime për skemat dhe lojën për edicionin e ardhshëm.
Arda Guler duket në qendër të manovrave të Real, ndërsa edhe Mbappe pret në një formë të shkëlqyer sezonin e ri.
Ishte sulmuesi francez që shënoi golin e dytë për “los blancos”, ndërsa epërsia e tyre ishte sigluar në minutën e 10-të nga Eder Militao.
Kaq për pjesën e parë, ndërsa në të dytën Kilian Mbappe gjeti sërish rrugën e rrjetës, për të thelluar në 3-0 epërsinë e spanjollëve në rezultat.
Fitorja e Real Madrid u vulos nga Rodrigo.
Sulmuesi brazilian plotësoi “pokerin” e golave, ndërsa në fundin e sfidës shuajti përfundimisht zërat e merkatos për një largim të mundshëm.
Fitorja në këtë miqësore edhe pse ndaj një rivali ndjeshëm më inferior, është një mesazh i rëndësishëm nga Real Madrid që kërkon të kthehet fitues në Spanjë dhe Europës pas sezonit të fundit zhgënjyes./abcnews.al


