Massimiliano Allegri ka zgjedhur edhe një herë të injorojë vendimin e gjykatës italiane për heqjen e 15 pikëve nga Juventusi për skandalin e falsifikimit të të dhënave financiare.
Trajneri italian vuri në dukje gjatë deklaratave të tij se Zonja e Vjetër ka mundësinë që me një fitore të mbetet e vetme e dyta për herë të parë ndërsa bëri të qartë se skuadra e tij ka 50 pikë dhe nuk do të ndalet së përsërituri për të gjithë.
Pyetja në këtë rast është nëse 55-vjeçari italian di diçka më shumë për rastin dhe një rikthim të mundshëm të pikëve, apo thjesht dëshiron të rrisë moralin e lojtarëve të skuadrës.
“Ndeshja ndaj Sampdorias duket e lehtë por nuk është, këtë e dëshmojnë rezultatet. Është një lojë shumë vendimtare edhe për renditjen, sepse ne kemi mundësinë të shkojmë 3 pikë mbi Interin. E dimë vështirësinë dhe rëndësinë e ndeshjes. Rezultati ynë sot është 50 pikë, këtë do ta them gjithmonë, do të vazhdoj ta përsëris”. /G.D abcnews.al/