Allegri: Kampionati nuk ka mbaruar ende

schedule22:43 - 8 Dhjetor, 2018

schedule 22:43 - 8 Dhjetor, 2018

Juventusi e meritoi fitoren, por nuk e ka siguruar ende titullin. Ky, mendimi i trajnerit kampion, Allegri, ndërsa trajneri i Interit, Spalleti pati kritika për lojtarët e tij.

Diferenca me ndjekësit është vërtet e madhe. Juventusi e kënaqi trajnerin e vet, Masimiliano Alegrin, me suksesin ndaj Interit, edhe pse njeriu i stolit nuk ka iluzione. Për të, edhe një ekip i shkëputur në krye, dhe që la 14 pikë prapa një rival të rëndësishëm, nuk ka fituar ende asgjë. Vetëm kështu, sipas Allegrit, mund të luftohet për titullin e 8-të radhazi në Serinë A.

“Interi na vuri në vështirësi në pjesën e parë, ndaj e patëm të vështirë t’i përballonim. Gjithsesi, e kishim fajin vetë sepse bëmë gabime duke humbur topin. Pas pushimit zhvendosa Mandzukiçin majtas, ndërsa Paulo Dybala luajti shumë mirë. Në pjesën e dytë ishim me ritëm të lartë dhe me presion të fortë. Nuk i lejuam Interit thuajse asgjë, dhe patëm disa raste. Kampionati ende nuk ka përfunduar, ndërsa tani, le të mendojmë për Championsin”, u shpreh Allegri.

Luciano Spalleti, trajneri i Interit, kuptoi kufijtë e momentit të skuadrës së tij, diçka që mund të bëhej vetëm duke u ndeshur me më të fortët. Ai nuk e hodhi poshtë paraqitjen e lojtarëve të tij, por pati kritika për futbollistë të veçantë, ndonëse nuk i tregoi me emra.

“Për fat të keq, Juventusi ishte i zgjuar, dhe ne u treguam naivë. Kundërshtari gjeti mënyrën sesi të shkonte kot 5 minuta pas një faulli. Gjithsesi, ne bëmë shumë gabime banale, dhe Juvja përfitoi. Kjo bëri diferencën. Nuk luajtëm keq, pasi disa herë krijuam raste për gol, por nuk i shfrytëzuam siç duhet sulmuesit tanë. Sërish pati ndonjë lojtar që u tregua i ngadalshëm, i pakujdesshëm apo që foli më shumë sesa duhet”, tha ai.

Sfida ishte e tillë kur asnjëra nga skuadrat nuk dominoi, por me Juventusin që e meritoi fitoren.

Ky ishte edhe refreni i mediave.

“La Gazeta dello Sport”: Kampionët fitojnë 1-0! Juventusi kërcen përpara, Interi rrëzohet!

“Il Corriere dello Sport” lavdëron sulmuesin kroat, autor të golit: Atila! Juve rekord, Manxhukiç rrëzon Interin, 1-0!

“Tutosport”, gazetë e Torinos: Super Mario, super Juve!

Pas 15 javësh, kuptohet gjithnjë e më shumë se kampionët në fuqi po bëjnë një garë më vete, dhe se Interi ende nuk është aq i fortë sa duhet, madje duke rrezikuar ta ketë fare pranë, rivalin e madh, Milanin./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!