“Alitalia vdiq! Rroftë ITA!”

schedule15:03 - 15 Tetor, 2021

schedule 15:03 - 15 Tetor, 2021

Pas shtatë dekadash, linja italiane ajrore “Alitalia” ka falimentuar.  Në orën 23:10 të mbrëmjes së djeshme, avioni Alitalia AZ 1586 u ngrit për herë të fundit në Aeroportin Fiumicino në Romë me destinacion Cagliari. Kështu kompania shënoi fundin pas 74 vitesh që operon në këtë biznes, raporton la Repubblica 

Gjatë 20 viteve të fundit, Alitalia i ka kushtuar shtetit italian rreth 13 miliardë euro. Pandemia e koronavirusit rezultoi të ishte një goditje fatale për kompaninë. Por Italia Trasporto Aereo (ITA) ka blerë kompaninë. Në konferencën për shtyp, drejtori  Fabio Lazzerini prezantoi markën e re dhe emrin e linjës ajrore e cila do të quhet Ita Airways.

Avionët do të jenë të ndryshëm, me ngjyrë blu do të jetë kabina e pilotit, dhe do të ketë edhe një shenjë për sukseset e atletëve italianë. Bishti i avionit do të mbajë ngjyrat e flamurit italian. Blerja e markës Alitalia kushtoi 90 milionë. Presidenti ekzekutiv Alfredo Altavilla tha se marka Alitalia është blerë për arsye marketingu, nga respekti për njerëzit që kanë dhënë shpirtin e tyre për linjën ajrore.

Një mekanizëm i ri, i quajtur Volare, do të zëvendësojë programin tashmë të zhdukur Millemiglia. Së shpejti, kompania pritet të nisë fluturimet ndërkontinentale sepse ato janë më fitimprurëse. Do të ketë klasa të ndryshme në bord : biznes, premium, dhe ekonomikë.

Ndërkohë kompania do të punësojë vetëm 2,800 të stafit të vjetër. Mijëra punonjës të tjerë të Alitalia do të përballen me papunësi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!