Alibeaj te “Ligjet”: Pranoni vettingun e politikanëve, ata po bëjnë gjëmën

schedule12:57 - 24 Janar, 2022

schedule 12:57 - 24 Janar, 2022

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ka kundërshtuar ligjin për vettingun e noterëve, i cili u prezantua sot nga ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja.

Gjatë fjalës së tij, Alibeaj tha se noterët duhet të kontrollohen, por s’ka nevojë për vetting. Sipas tij maxhoranca po përpiqet të pastrojë noterët dhe ta mbushë me militantë të saj.

“Këtu çdo ministër që vjen vettingun bën. E mbani mend Gjonaj, 4 vite dy gjëra mbaj mend e degdisi Nezar Seitin duke shkelur të gjitha rregullat e ekstradimit. Akti i parë që mbahet mend dhe akti i dytë vettingu i noterëve. Vjen tjetrin bën të njëjtën gjë. S’ka lidhje fare me vettingun e noterëve secili prej ministrave që vjen krijon vetëm kushtet si të pastrojë noterët dhe ta mbushë me militantë të partisë. Me ata që në 25 prill bënë vota për PS. Do të duhet të vendoset rregulli, integriteti, mos ketë kontakte me krimin. Çfarë i ka munguar ministrit të Drejtësisë, i kujtdo qoftë ai, nuk mungon asgjë nga legjislacioni aktual për të kontrolluar noterët.

Sa kontrolle ka bërë zotëria? Mirë vjen për të bërë një ndryshim në ligj dhe arsyeton kanë nisur kaq kontrolle për noterët, nuk ka shkuar deri në fund se ligjit i mungon diçka. Zero kontrolle. E thotë edhe vetë Dhoma e Noterëve.

Problemi më i madh në noterinë është se ç’bëhet me sistemet elektronike. Detyrohen njëherë në 6 muaj të paguajnë para për disa sisteme të ministrisë që janë në duart e qeveritarëve. Babëzia e qeverisë nuk mjaftohet me kaq.

Kjo qeveri që s’ka lënë zgjo pa kapur tani po i sulet edhe Federatës së Futbollit. Të lërë pa futur duart edhe tek noterët. Të gjithë duhet të dinë që noteria duhet kontrolluar, por është veprimtari publike që ushtrohet në mënyrë private. Por peshku qelbet nga koka”, tha ai.

Alibeaj vuri theksin te vettingu në politikë, duke e cilësuar si zgjidhjen e vetme. “Noterët janë thjeshtë ata që ju vjen dikush te zyra me një kontratë dhe janë kontrolluar. Prandaj testi moral është i pari që duhet të kalojë gjithsecili prej nesh. Pranoni vettingun në politikë dhe s’ka për të ndodhur as pastrim parash dhe s’ka për të shkuar puna deri te noterët. Ky është testi që se kaloni dot. I pari është vettingu i politikanëve, këta bëjnë gjëmën, rrimë përkrah me kriminelët dhe bëjnë vota”, u shpreh ai. g.v/abcnews.al