Alibeaj: Do jemi konkurentë seriozë, ftojmë në një aleancë politike, të gjitha partitë parlamentare ose jo

schedule13:47 - 21 Prill, 2023

schedule 13:47 - 21 Prill, 2023

Kryetari i Komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj, këtë të premte ka qenë në Fier ku ka prezantuar kandidaten për Bashkinë e Fierit në zgjedhjet e 24 majit.

Alibeaj ka thënë se Eriselda Zotaj Çelaj, është një fierake dhe demokrate, 24 karatëshe dhe kur këto të dyja kombinohen bashkë, Fieri mund të shohë larg, mund të shohë në 2030n.

Ndër të tjera ai është shprehur se është njohur me planin ambicioz të kandidates demokrate për Bashkinë e Fierit dhe kam mbetur i mrekulluar nga vizioni i saj

Alibeaj në fjalën e tij para demokratëve në Fier është shprehur se kjo është një garë e vështirë pasi PD-ja prej një viti e gjysmë, gjendet nën një sulm të pareshtur, partia sipas tij po goditet nga ish-lideri i saj historik, po goditet nga Sali Berisha.

Ai ka theksuar se në kuadër të bashkëpunimit që ka pasur me Sali Berishën i vjen keq që ndodhi kjo, por sipas tij, ai ka zgjedhur që problemin e tij personal ta shndërrojë në problem të demokratëve.

Unë kam bashkëpunuar me Sali Berishën dhe, natyrisht, më vjen keq për këtë që i ndodhi. Por ai zgjodhi që hallin e tij personal ta bëjë problem të Partisë Demokratike dhe t΄ia faturojë demokratëve, njerëzve më të vuajtur, më energjikë dhe më besimplotë të këtij vendi.

Pas 9 shtatorit, kur kryetari i Partisë Demokratike, në përputhje të plotë me vlerat euroatlantike mbi të cilat është ngritur PD-ja, ia pezulloi praninë në grupin parlamentar derisa të zgjidhej statusi i tij non grata, në vend që të tërhiqej në jetën e tij dhe të trajtonte personalisht problemin me SHBA, në rrugë ligjore, Sali Berisha iu fut një fushate për t’i vënë kazmën Partisë Demokratike. Ai ndërtoi një proces antistatutor dhe të paligjshëm duke ndërtuar organe dhe struktura paralele në PD dhe duke mbledhur në 11 dhjetor një kongres të paligjshëm të cilin Gjykata e Apelit e rrëzoi dhe e quajti nul.

Por nuk u mjaftua me kaq. Ai erdhi në 8 janar dhe sulmoi fizikisht selinë e Partisë Demokratike duke dhënë shembullin e një barbarie të pashoqe për jetën publike kombëtare dhe ndërkombëtare. Në 6 mars të vitit të kaluar në një koordinim perfekt me trekëndëshin, në zgjedhje krejt të sajuara, mori demokratë dhe i çoi nëpër sigla të tjera socialiste, duke goditur shanset e demokratëve për të fituar këto zgjedhje.

Aktet e tij kundër PD nuk përfundojnë këtu! Edhe pse ish-kryetari Lulzim Basha dha dorëheqjen për të mos e vazhduar përçarjen, me pretendimin logjik që të njëjtën gjë ta bënte dhe Sali Berisha, me qëllim që demokratët të shkonin drejt një procesi dhe të ndalej kjo përçarje dhe dhunë e brendshme verbale ose fizike herë pas here, Sali Berisha vazhdoi veprimet e tij të njëanshme. Ai bëri kongres të njëanshëm në 30 prill, bëri zgjedhje të njëanshme duke u zgjedhur kryetar i PD dhe duke përmbysur çdo rregull apo logjikë politike. Ai, duke mashtruar demokratët se është njeriu që do ti çonte në fitore, dhe kush?! Ai që humbi në vitin 2013!  Jo vetëm kaq. Ai që në fund të korrikut të këtij viti qeveria konservatore britanike e shpalli non grata.  Dhe ajo nuk ishte qeveri sorroiste, ishte qeveri e partisë sonë simotër, ishte qeveri anti-sorroiste dhe e shpalli me të njëjtat terma nongrata Sali Berishën, tashmë me një dosje të plotë të vënë përpara syve të tij.

Sali Berisha nuk mund të vazhdojë! “, ka thënë Alibeaj.

Alibeaj premton nga Fieri se Partia Demokratike do të jetë një konkurrente serioze në zgjedhjet e 14 majit. Kreu i PD bëri thirrje për një koalicion të gjerë opozitar ku ftoi partitë parlamentare dhe jo parlamentare që ti bashkohen partisë demokratike

“Ne do të jemi konkurrentë seriozë dhe të qartë në këto zgjedhje vendore, edhe pse koha është e shkurtër, edhe pse rrethanat janë të vështira. Ne ftojmë në një aleancë politike të gjitha partitë parlamentare ose jo, nga qendra në të djathtë të cilët janë për idealet euroatlantike, janë për orientimin perëndimor të Shqipërisë, janë për të luftuar dhe rrëzuar trekëndëshin e Bermudës të përfaqësuar nga tri pikat simbolike të tij Rama-Berisha-Meta që përbëjnë të shkuarën, që janë problemi dhe asesi zgjidhja. Kjo aleancë me qëllim strategjik kërkon që të trajtohet edhe pas 15 majit si një përqendrim dhe bashkim i shumicave demokratike. Këta jemi ne, demokratët e Shqipërisë!

Ne do të i futemi një procesi organizimi të brendshëm elektoral, tërësor dhe kapilar, për tu rikthyer në pushtetin lokal me sa më shumë bashki dhe këshilltarë për t’i dhënë jetë demokracisë lokale pas zgjedhjeve të njëanshme të vitit 2019. Kandidatët tanë do të jenë fryma euroatlantiste në politikën shqiptare. Ata do të jenë nismëtarët e rikthimit të demokracisë shqiptare në shinat e normalitetit, në shinat e standardeve. Do të jenë kandidatët që jo vetëm politikisht por edhe praktikisht do t´i hapin bashkitë pranë qytetarëve”, ka thënë Alibeaj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!