Alfred Balla zgjidhet me 10 vota në krye të KLP-së

schedule12:03 - 28 Mars, 2022

schedule 12:03 - 28 Mars, 2022

Pas përvojës 3-vjeçare si anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Alfred Balla do të marrë nga dita e sotme drejtimin e këtij institucioni. Emërimi i juristit me eksperiencë 31-vjeçare në sistemin e drejtësisë është bërë në mbledhjen e sotme të KLP, e cila u zhvillua në prezencë të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si dhe të përfaqësuesve nga Ministria e Drejtësisë, Prokurori i Përgjithshëm dhe Programit OPDAT.

Gjatë prezantimit të platformës përpara anëtarëve të KLP, Alfred Balla, i cili deri tani ushtronte detyrën e zëvendëskryetarit, tha se disa nga karakteristikat dhe vlerat që gëzon, plotësojnë kriteret dhe garantojnë kandidaturën e tij si të vlefshme për këtë post, përgjatë dy viteve në vijim. “Eksperienca ime 3 vjeçare si anëtar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë që nga dita e parë e krijimit të tij, si një organ i ri Kushtetues i qeverisjes së sistemit të prokurorisë. Përvojat e mia profesionale juridike 31-vjeçare në sistemin e Prokurorisë, Gjykatës së Lartë, Avokatisë, pranë Këshillit të Ministrave dhe ajo 15-vjeçare akademike, të cilat më japin aftësinë të jem në gjendje të njoh imtësisht sistemin e drejtësisë në vend, nevojat e problemet e tij”, u shpreh Balla. Për sa i përket aftësive organizative/ administrative, kreu i ri i KLP tha se ndër vite është angazhuar në grupet e punës si dhe aftësitë drejtuese të stafit, qoftë në rolin e Zv/Prokurorit e Prokurorit të Rrethit, Zv.Kryetarit të Këshillit, apo dhe si Kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Veprimtarisë Etiko Profesionale që kam mbajtur në këto tre vite.

Në fjalën e tij, Balla tha se “gjatë këtyre tre viteve të funksionimit të Këshillit, mund të pohojmë bindshëm që karriera dhe statusi i magjistratëve prokurorë zhvillohet pa u ndikuar nga politika apo fenomenet e korrupsionit por vetëm nga integriteti dhe merita profesionale”. “Ndihem i privilegjuar që jam pjesë e këtij Këshilli që nga dita 1 (një) e krijimit të tij. Kam dhënë kontributin tim personal në ngritjen e Këshillit dhe implementimin në mënyrë efiçente të legjislacionit të ri. Ky legjislacion ka mundësuar izolimin e fenomeneve negative dhe rritjen e besimit të publikut dhe të vetë magjistratëve, nëpërmjet vendimmarrjeve tona transparente, ku tipari kryesor që i ka shoqëruar ato, ka qenë drejtësia dhe meritokracia”, deklaroi ai.

Më tej, juristi i njohur kërkoi besimin e anëtarëve të tjerë të KLP duke siguruar se do të vijojë punën për mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore të administratës së Këshillit, rritjen e kapaciteteve profesionale të Këshillit, të magjistratëve, të stafit administrativ të Këshillit dhe të zyrave të prokurorive. Gjithashtu ai garantoi rritjen e intensitetit të bashkëpunimit institucional, kryesisht me Prokurorin e Përgjithshëm, Këshillin e Lartë Gjyqësor, Shkollën e Magjistraturës, Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, Ministrin e Drejtësisë dhe si dhe duke punuar ngushtësisht me partnerët tanë ndërkombëtarë.

“Seicili anëtar i Këshillit përfaqëson një personalitet profesional e moral më vete, ka qëndrimin e tij të pavarur dhe vota është një e drejtë personale e tij, por mendoj, një organ kolegjial duhet të përshkohet nga një frymë e ngushtë bashkëpunimi për të arritur qëllimin për të cilin ai funksionon. Do të punoj fort për një frymë të re për të arritur emëruesin e përbashkët të punës së gjithkujt nga ne në këtë Këshill që është “mirë administrimi i sistemit të prokurorisë, dhe kthimi i besimit të çdo qytetari tek shteti i së drejtës””, deklaroi Alfred Balla.

Në fund të fjalës së tij, Kryetari i ri i KLP-së garantoi rritjen e transparencës së institucionit përmes medias duke hapur edhe më shumë këtë institucion e duke krijuar një nivel të ri marrëdhënieje.

Çfarë është KLP, cilat janë detyrat e institucionit

KLP është organi kryesor i qeverisjes së gjyqësorit. Detyrat (kompetencat) e KLGJ përfshijnë: 1. Bën plane strategjike për zhvillimin e sistemit të prokurorisë dhe monitoron ecurinë e zbatimit të tyre;
2. Raporton çdo vit para Kuvendit dhe publikut mbi gjendjen e sistemit të prokurorisë;
3. Miraton standartet e etikës prokuroriale dhe mbikqyr respektimin e tyre nga ana e gjyqtarëve;
4. Emëron (dhe cakton në pozicione konkrete) prokurorët e shkallës së parë dhe të dytë;
5. Përzgjedh dhe i propozon Kuvendit kandidatët për Prokuror të Përgjithshëm;
6. Transferon dhe ngre në detyrë prokurorët;
7. Vlerëson veprimtarinë etike dhe profesionale të prokurorëve;
8. Vendos masa disiplinore mbi prokurorët që kryejnë shkelje disiplinore;
9. Jep mendim në lidhje me numrin e përgjithshëm të prokurorëve dhe numrin e prokurorëve për çdo zyrë prokurorie.
10. Bën deklarata publike në mbrojtje të prokurorëve të veçantë kur e gjykon të nevojshme.
11. Bashkëpunon me Shkollën e Magjistraturës në lidhje me trajnimin vazhdues të gjyqtarëve;
12. Jep opinione ose bën propozime lidhur me ndryshimet në legjislacionin që mund të ndikojë në punën e prokurorisë dhe ligjin e procedurës penale;
13. I kërkon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë të kryejë inspektime tematike ose hetime për shkeljet individuale;
14. Rekruton, emëron, vlerëson dhe disiplinon funksionarët e lartë të adminisrtaës së prokurorisë.
15. Harton dhe zbaton buxhetin e vet.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!