Ukraina ka një mundësi për të rimarrë nën kontroll territoret lindore, të zaptuara nga separatistët rusë. Për këtë mjafton që Presidenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet, të bëjë një marrëveshje me Moskën dhe të ketë prirje pro-ruse.
Presidenti i ri i Ukrainës mund të rimarrë kontroll në zonat separatiste në lindje të vendit brenda pak muajsh nëse bën një marrëveshje me Moskën. Kështu ka deklaruar Viktor Medvedçuk, një nga figurat kyçe pro-ruse në Kiev, sipas të cilit në rast të një marrëveshjeje Ukraina mund të përfitojë edhe ulje të tarifave për gazin dhe naftën, si dhe investime të mëdha ruse. Medvedçuk e ka parashtruar perspektivën në një intervistë të dhënë përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, që mbahen të dielën dhe që shohin si favorit komedianin Volodimir Zelenskij. Politikani pro-rus ka deklaruar se Kremlini është i interesuar të dijë nëse Zelenskij, 41-vjeçari pa eksperiencë politike, është i gatshëm të bëjë një ujdi, ndryshe nga presidenti në ikje Petro Poroshenko, që garon për mandatin e dytë. “Në Moskë nuk është se kanë shumë pritshmëri, por janë të interesuar të shohin se çfarë do të ndodhë më pas, kush do të jetë në ekipin e Zelensikjt dhe çfarë do të bëjë ai”, ka thënë Medvedçuk. Me nënshtetësi ukrainase, Medvedçuk nuk përfaqëson Rusinë, por fjalët e tij kanë peshë për shkak të miqësisë me presidentin Vladimir Putin dhe reputacionin si ndërmjetës mes dy vendeve. Ai ka deklaruar se e njeh Putin prej 19 vjetësh, se lideri rus është kumbari i vajzës së tij dhe se me të ka zhvilluar bisedime në Moskë vetëm 2 javë më parë. /abcnews.al