Zv/kryeministri Italian Mateo Salvini dhe kryeministri hungarez Viktor Orban, janë të dy fitues në vendet përkatëse, në zgjedhjet parlamentare europiane. Të dy deklaruan se tashmë Bashkimi Europian duhet të ndryshojë dhe se partitë antiemigracion duhet të kenë më shumë zë në vendimmarrje.
“Eshtë e qartë se rregullat europiane duhen ndryshuar, jemi partia e parë e Italisë dhe do ngremë zërin për të drejtat tona në Europë”.
Në këtë mënyrë Matteo Salvini komentoi rezultatet e para të zgjedhjeve parlamentare europiane; lideri i Legës në nisje të konferencës së tij për shtyp u shpreh se nuk do të përdorte këto vota për të kryer llogaritë e brendshme dhe se armiku i tij mbetej e majta.
Salvini theksoi disa herë se nuk do të kërkonte më shumë pushtet në qeverinë aktuale dhe se aleatët e qeverisë janë miq me të cilët duhet punuar në qetësi.
Nga ana tjetër sipas parashikimeve, ajo e Viktor Orban në zgjedhjet Parlamentare Europiane ishte një fitore e thellë. Partia e kryeministrit hungarez, Fidesz, ka marrë 52% të votave.
Kjo parti merr në këtë mënyrë 13 nga 21 vendet e caktuara për Hungarinë në Parlamentin Europian, një më shumë se në vitin 2014. Fidesz, disa javë më parë ishte përjashtuar nga partia popullore europiane për shkak të qëndrimit dhe të një fushate elektorale anti BE. Për më shumë Orban, i njohur për qëndrimin e tij të ashpër kundër emigrantëve, kishte propozuar një aleancë me Legën e zv/kryeministrit italian Salvini.
Pas publikimit të rezultateve, kryeministri hungarez Orban u shpreh se shpresonte në realizimin e një ndryshimi në arenën publike europiane në favor të atyre partive që duan të ndalojnë emigracionin. /ABC news Albania 24/7