Donald Trump kandidoi për president të SHBA-së me premtimin për shkatërrimin e Shtetit Islamik dhe për ndalimin e sjelljeve ekonomike grabitqare të Kinës. Zbulimet e paligjshme të Edward Snowden e dobësuan mbrojtjen e Amerikës përkundrejt terroristëve të huaj, dhe e shtuan spiunazhin kibernetik të Pekinit kundër Shteteve të Bashkuara.
Atëherë, pse ka zëra se presidenti në largim po konsideron mundësinë e faljes së ish-kontraktorit të pa penduar të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA), që vodhi mbi 1 milion dokumente të sigurisë kombëtare amerikane dhe u arratis në Hong Kong, dhe prej andej në Moskë?
Gjatë kohës së qëndrimit të tij në këtë detyrë, zoti Trump u trondit në mënyrë të vazhdueshme nga rrjedhjet e ndryshme të informacionit qeveritar, që mendonin se qëndronin mbi procesin demokratik. Ky përshkrim i përshtatet gjithashtu edhe Snowden, që nuk pati bërë kurrë asnjë ankesë në lidhje me politikat e inteligjencës amerikane ndërsa punonte për qeverinë. Por që atëherë, ai e ka bërë veten një njeri të famshëm me pretendimin se po vendos drejtësinë morale.
Por ndërsa mandati i tij po mbyllet Donald Trump duket se është në gjendje të thyejë deri në fund normat. Dhe avokatët e Snowden kanë kërkuar tani që të apelojnë, pas dyshimeve se presidenti do të joshet t’i akordojë atij një falje në momentet e fundit.
Siç sugjerojnë Roger Stone dhe senatori Rand Paul, Snowden ishte një figurë e dobishme në fushatën e Donald Trump kundër institucioneve të inteligjencës amerikane. Por do të ishte një tradhti nëse presidenti do ta ndërmarrë këtë akt pikërisht për këtë arsye.
Viktimat e tradhtisë së stilit të Snowden janë amerikanë të zakonshëm, dhe jo armiq të “Shtetit të Thellë” të zotit Trump. Falja e sjelljes së Snowden do të kishte shumë pasoja të tjera. Trump ka mbështetur vërtet zbatimin e ligjit, por nëse metodat e inteligjencës mund të vidhen pa u ndëshkuar, atëherë do të dobësohet siguria e kufirit dhe lufta kundër trafikut të drogës.
Trump mund të mburret se po përballet me abuzimet e Kinës, por Snowden vodhi informacione në lidhje me mbikëqyrjen e NSA,proçes që mbron amerikanët nga sulmet e hakerave kinezë që punojnë për llogari të ushtrisë.
Ndoshta presidenti mendon se vetëm kritikët e tij në burokracitë e institucioneve të sigurisë e shohin Snowden si tradhtar. Por një raport i vitit 2016 nga Komiteti i Inteligjencës së Dhomës së kongresmenit Devin Nunes, flet në detaje mbi abuzimet e zoti Snowden.
Ndër të tjera aty thuhet se “nëse qeveritë ruse ose kineze kanë qasje në këtë informacion, trupat amerikane do të rrezikojnë më shumë në çdo lloj konflikti të ardhshëm”. Në vitin 2014 gjenerallejtënant Michael Flynn i tha Kongresit Amerikane se “kostoja më e madhe” nga informacionet e vjedhura nga Snowden ka të ngjarë të jetë në“jetët njerëzore në fushëbetejat e së nesërmes”.
Donald Trump e ndan botën në miq dhe armiq, dhe është e vërtetë që zyrtarët në aparatin e inteligjencës amerikane e kanë sulmuar atë gjatë gjithë presidencës së tij. Promovimi i komploteve Trump-Rusi nga njerëz si ish-drejtori i Inteligjencës Kombëtare James Clapper dhe ish-Drejtorit të CIA-s John Brennan, do të dëmtojë për vite me radhë besueshmërinë që kanë pasur këto agjenci tek dhjetëra miliona amerikanë.
Nëse presidenti do të bindet të falë Edward Snowden, sjellja e tyre do të ketë ndihmuar në krijimin e mbulesës politike që ai të vepronte në këtë mënyrë. Megjithatë, përgjegjësia për tradhtimin e sigurisë së popullit amerikan do të ishte vetëm e tij. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al