Më shumë se 100 viktima janë shënuar që nga muaji shtator i vitit të kaluar mes të pastrehëve. Temperaturat e ulëta që kanë pushtuar vendin dhe strukturat e pritjes në kolaps, kanë risjellë alarmin e vdekjeve nga i ftohti në Hungari.
Disa prej të pastrehëve nuk pranojnë të largohen nga rruga pasi në strehimet që i janë vënë në dispozicion nga shteti kanë qenë shumë herë objekt grabitjesh. Madje disa herë edhe janë dhunuar.
Në vitin 2011 qeveria hungareze vendosi të dënojë me ligj të qenurit të pastrehë. Dy vjet më parë u amendua dhe Kushtetuta për të dënuar ata që jetojnë për një kohë të gjatë në vende publike. Vendime që kanë detyruar shumë persona të fshihen në periferitë e qyteteve. Duke jetuar mes mbeturinave dhe pisllëkut, jo vetëm duke u përballur me të ftohtin, por dhe me frikën se mos i zbulojnë.
Ata që ndërrojnë jetë si pasojë e të ftohtit janë sidomos të moshuar dhe njerëz të sëmurë që jetojnë vetëm. Persona shumë të dobët dhe që nuk kujdesen dot për veten. Edhe pak orë qëndrimi në temperaturat aktuale do të ishin vdekjeprurëse. Një analizë që fatkeqësisht konfirmohet dhe nga numrat ku më shumë se 8 mijë persona, kanë ndërruar jetë nga i ftohti në Hungari, që nga viti 1990./abcnews.al