Gati 6 000 detarë mbeten të bllokuar në anije të paaftë për t’u larguar me siguri nga Gjiri, ndërsa sulmet ndaj anijeve që kalojnë tranzit në Ngushticën e Hormuzit vazhdojnë, tha të mërkurën kreu i Organizatës Ndërkombëtare Detare të OKB-së (IMO).
Sekretari i Përgjithshëm i IMO-së, Arsenio Dominguez, dënoi sulmet gjatë dy ditëve të fundit në disa anije tregtare në ngushticë, duke paralajmëruar se detarët e pafajshëm po vihen përsëri në “rrezik të madh”.
Ai tha se qindra anije që transportojnë rreth 6.000 detarë kanë mbetur të bllokuara në Gji që nga fillimi i konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Asnjë detar nuk duhet të rrezikojë jetën e tij thjesht për të bërë punën e tij,” tha Dominguez.
Ai u bëri thirrje shteteve të flamurit, pronarëve të anijeve, operatorëve dhe autoriteteve përkatëse që të shmangin ekspozimin e detarëve ndaj rrezikut të panevojshëm duke kaluar tranzit në Ngushticë për sa kohë që siguria dhe mbrojtja e ekuipazhit nuk mund të garantohen.
Dominguez tha se sulmet e fundit kanë intensifikuar frikën, pasigurinë dhe tendosjen psikologjike midis ekuipazheve të bllokuara dhe u bëri thirrje të gjitha shteteve të interesuara të ushtrojnë përmbajtje maksimale, të de-përshkallëzojnë pa vonesë dhe të lehtësojnë nisjen e sigurt të anijeve ende të bllokuara në Gji.
Agjencia e OKB-së tha muajin e kaluar se kishte konfirmuar 46 sulme ndaj anijeve ndërkombëtare në dhe rreth ngushticës së Hormuzit që nga 28 shkurti – kur filloi konflikti – me 14 të vdekur detarë.
Ngushtica e Hormuzit, e vendosur midis Iranit dhe Omanit, është një nga pikat më kritike detare në botë, që lidh Gjirin me Gjirin e Omanit dhe Detin Arabik.



