Një agjenci amerikane në një studim ka zbuluar se temperaturat do të vijojnë të rriten ndjeshëm për shkak të emetimeve të gazit serë. Sipas studimit, ky fenomen është i pamundur të ndalohet.
Deri në vitin 2100 temperaturat mesatare do të rriten me 3.5 gradë celcius, dhe ky fenomen do të jetë i pamundur të ndalohet. Kjo është zbuluar nga një studim me mbi 500 faqe të një agjencia federale amerikane, NHTSA, Administrata për Sigurinë e trafikut të autostradave kombëtare. Rruga e vetme është pakësimi i emisioneve të gazit serë, pra të braktisen burimet fosile, gjë që sot nuk është e realizueshme.
Studimi është prodhuar për të mbështetur vendimin e administratës së Donald Trump për të bllokuar ngritjen, e kërkuar nga ish-presidenti Barack Obama, të standardit të efiçencës energjitike për veturat dhe furgonët që do të ndërtohen pas vitit 2020. Vendimi i Trump, pranon Agjencia Amerikane, do të rrisë emisionet e gazit serë nga automjetet, por në çdo rast është i papërfillshëm në kuadron më të gjerë të ngrohjes globale.
Rritja me 3.5 gradë është llogaritur duke studiuar temperaturat e regjistruara mes viteve 1986 dhe 2005. Kjo rritje e temperaturave do të ndodhë si në rast të adoptimit të standardeve të kërkuara nga Obama apo në rast të bllokimit të këtyre standardeve për 6 vite, siç kërkon administrate Trump. /abcnews.al