Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski thotë se kërcënimet për bomba në muajt e fundit nuk kanë ardhur vetëm nga brenda territorit maqedonas, por edhe nga jashtë saj.
Spasovski u shpreh se kërcënime kanë ardhur nga Rusia dhe Irani, përmes Rrjetit Virtual Privat, që është një mekanizëm për të siguruar lidhje të sigurt në internet, shkruan REL.
“Ditët e fundit, sipas forenzikës së kryer në MPB, alarmet kalojnë përmes adresave VPN, por telefonatat fillestare janë nga Irani dhe Rusia. Është e rëndësishme të theksohet se ato adresa VPN janë paguar për përdorimin e kriptomonedhave, gjë që e ndërlikon më tej mundësinë e përcaktimit të autorit të saktë të këtij krimi.
Tashmë në procedurë hetimore janë disa persona të cilët e kanë bërë këtë edhe nga territori i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ai hetim është në fazë të avancuar dhe kur të vijë momenti do ta informojmë opinionin”, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
Maqedonia e Veriut që nga tetori i vitit të kaluar po përballet me alarme të përditshme për vendosje të bombave nëpër institucione të ndryshme, kryesisht në shkollat fillore dhe të mesme./abcnews.al