“Alarm” te Shqipëria: Reja humb pesë futbollistë, tre në pikëpyetje

schedule16:05 - 5 Tetor, 2020

schedule 16:05 - 5 Tetor, 2020

Shqipëria pëson ndryshime të shumta dhe mund të ketë edhe të tjera lëvizje, sikurse njofton FSHF me një komunikatë për mediat pak çaste më parë. Pesë futbollistë pengohen nga klubet, Strakosha e Mersinaj kanë probleme dëmtimesh, kurse Vrioni pret “OK” -in e Juventusit.

“Lista e Kombëtares shqiptare për dy ndeshjet e Nations League ndaj Kazakistanit dhe Lituanisë do të pësojë sërish ndryshime për shkak të pandemisë COVID-19 dhe problemeve që janë hasur me klubet.

Etrit Berisha, Ylber Ramadani, Florian Kamberi, Lindon Selahi dhe Klaus Gjasula nuk do të jenë të gatshëm për dy ndeshjet e radhës, pasi nuk lejohen nga klubet të dalin jashtë vendeve respektive.

Ndërkaq, edhe Giacomo Vrioni nuk është lejuar për momentin për shkak të kufizimeve dhe nëse klubi i tij, Juventusi do t’i japë leje ai mund të bashkohet me kuqezinjtë të mërkurën mbrëma ose të enjten në mëngjes.

Edhe portieri Thomas Strakosha ka shfaqur probleme fizike dhe është në pikëpyetje për ndeshjet e tetorit. Për këtë arsye trajneri Reja ka vendosur të thërrasë portierët Alban Hoxha dhe Gentian Selmani.

Probleme fizike ka shfaqur edhe mbrojtësi Jon Mersinaj, i cili është duke u monitoruar nga stafi mjekësor vazhdimisht”, shkruan FSHF në njoftimin e saj. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!