Prej dy ditësh tashmë në Francë është çelur sipari i Lojërave Olimpike verore, teksa mbrëmjen e kësaj të premteje do të zhvillohet edhe ceremonia zyrtare hapëse.
Siguria ka qenë padyshim një nga elementët më shqetësues në këtë Olimpiadë teksa menjëherë në qendër të sulmeve u vendosën linjat hekurudhore, ku u vendosën disa zjarre të qëllimshme, duke bllokuar qarkullimin për disa orë.
Mirëpo, nuk ka mbaruar me kaq.
Sipas raportimeve më të fundit të mediave franceze, në orët e pasdites pati një alarm edhe në atë që quhet “Qendra për Median”, ambient ku janë vendosur gazetarë, operatorë e fotografë nga e gjithë bota, të cilët do të përcjellin emocionet e Lojërave Olimpike.
Policia franceze veproi me shpejtësi, duke izoluar zonën për më shumë se 10 minuta dhe duket bërë kontroll të imtësishëm, por më pas gjithçka iu rikthye normalitetit, pasi alarmi rezultoi i rremë.
Evente të tilla madhore janë gjithmonë në shënjestër të terrorizmit, megjithatë autoritetet franceze kanë dhënë garanci për sigurinë në ambientet ku do të mbahen garat sportive të Lojërave Olimpike, por mbetet ende shqetësimi për sulme në metro, stacione trenash dhe qendra të tjera grumbullimi të tifozëve. /i.m /abcnews.al