Media saudite Al Arabiya ka publikuar detaje në lidhje me avionin privat e mbërritur ditën e djeshme në Shqipëri me 37 afganë të evakuuar nga Kabuli. Burime nga qeveria shqiptare kanë deklaruar për Al Arabiya se avioni transportonte gra afgane dhe familjarët e tyre të nxjerrë nga Kabul nga një OJQ e themeluar nga Hillary Clinton.
Disa nga të evakuarit kanë pasur nevojë për kujdes mjekësor në momentin e mbërritjes në Shqipëri për shkak të dëmtimeve që kanë pësuar nga shtyrjet në turmën e madhe të krijuar në aeroportin e Kabulit.
Ata kanë ardhur në Shqipëri pa bagazhe pasi forcat ushtarake amerikane ua ndaluan të merrnin me vetë valixhe për të ulur peshën në avion. Disa prej tyre kishin pritur në aeroport për të paktën dy ditë.
Fluturimi privat ishte caktuar nga Vital Voices, një OJQ e themeluar nga Hillary Clinton dhe Madeleine Albright me qëllim fuqizim dhe mbrojtjen e të drejtave të grave.
Deri më tani në Shqipëri kanë mbërritur 644 afganë të cilët do të qëndrojnë në vendin tonë përkohësisht deri në përfundimin e procedurave për daljen e vizës amerikane. Ata janë vendosur në konviktet e qytetit studenti dhe në strukturat hoteliere në zonat bregdetare. m.v/abcnews.al