Akuzohet për vrasjen e gazetarit, e fejuara: Ndaloni shitjen e Newcastle

schedule09:40 - 29 Prill, 2020

schedule 09:40 - 29 Prill, 2020

Fondi i Investimeve Publike Saudite, PIF, po tenton të blejë shumicën e aksioneve të Newcastle United dhe kjo ka shkaktuar shumë polemika në Britaninë e madh. Princi Mohamed bin Salman akuzohet për vrasjen e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi, ndaj edhe e fejuara e tij, Hatice Cengiz, ka kërkuar që të mos lejohet shitja e klubit të Premier League te PIF.

Khashoggi u vra brenda ambasadës Saudite në Stamboll, në vitin 2018. Ai kishte shkuar aty që të merrte dokumentet që i duheshin për t’u martuar me Cengiz. Nga hetimet e bëra, Arabia Saudite ishte përgjegjëse për vrasjen e gazetarit, ndërkohë që shikohet si e pakonceptueshme që diçka e tillë të ndodhë pa dijeninë e Princit.

Avokati i Cengiz, Rodney Dixon, është shprehur mes të tjerash në letrën e dërguar drejt Richard Masters, CEO-s së Premier League: “Oferta për blerjen e Newcastle nuk është vetëm biznes për Princin dhe autoritete saudite, por një përpjekje për të shmangur drejtësinë. Kjo do të maskonte parimet dhe rregullat thelbësore të Premier League dhe do shkatërronte reputacionin e mirë”.

Amnesty International gjithashtu është kundër, madje e ka paralajmëruar Premier League ta shikojë mirë këtë çështje dhe të marrë informacionet e duhura për Princin Mohamed bin Salman. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!