Tre persona në Itali janë arrestuar pasi akuzohen se ndihmuan Matteo Messina Denaro në arrati. Arkitekti Massimo Gentile dhe tekniku radiolog i spitalit Mazara del Vallo, Cosimo Leone përfunduan në pranga për përfshirje në organizatën mafioze ndërsa Leonardo Gulotta akuzohet për bashkëpunim të jashtëm.
Që nga kapja e bosit më 16 janar 2023, 14 persona janë arrestuar nën akuzën se kanë ndihmuar bosin e mafias në kërkim. Katër prej tyre tashmë janë dënuar.
Sipas hetuesve, midis viteve 2007 dhe 2017, arkitekti i dha disa herë identitetin e tij bosit të kërkuar të mafias, duke e lejuar atë të blinte një Fiat 500 dhe një motor BMë, me qëllim sigurimin e dy automjeteve, për të kryer operacione bankare.
Cosimo Leone akuzohet nga prokurorët se i kishte garantuar bosit të mafias, në nëntor 2020, që t’i bënte në mënyrë të sigurt një skanim CT të gjoksit dhe barkut të tij dhe se i kishte dhënë një telefon celular konfidencial gjatë shtrimi në spitalin Mazara del Vallo, në ditët kur bosi i mafias u operua për kancerin e zorrës së trashë.
Ndërsa Gulotta akuzohet se i ka vënë në dispozicion Messina Denaros numrin e tij të telefonit ndërmjet viteve 2007 dhe 2017 për të marrë komunikime nga shitësi i Fiat 500, të blerë me një emër të rremë dhe nga agjencitë e sigurimit ku ishin lidhur kontratat për makinën dhe motorin e blerë.
Matteo Messina Denaro vdiq në moshën 61 vjeçare në shtator të vitit të kaluar. Ai vuante nga kanceri në kohën kur u arrestua pas shumë vitesh në arrati. Gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua në javët e fundit, u dërgua në një spital nga burgu i sigurisë së lartë në Italinë qendrore, ku edhe ndërroi jetë./abcnews.al