Akuzohej për spiunazh, lirohet akademiku britanik

schedule18:58 - 26 Nëntor, 2018

schedule 18:58 - 26 Nëntor, 2018

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë vendosur të mbrojnë marrëdhëniet me Britaninë, duke falur akademikun anglez, të dënuar me burgim të përjetshëm për spiunazh. Rasti i tij mund të kthehej në një “Kashogi” të dytë, që do të vinte në pozitë të vështirë vendin arab kundrejt Perëndimit.

Një akademik britanik që ishte dënuar për spiunazh në Emiratet e Bashkuara Arabe ka fituar lirinë, pasi është falur nga autoritetet e këtij vendi. Methju Hexhs, 31 vjeç, i cili ka mohuar vazhdimisht akuzat për spiunazh dhe ka argumentuar se po mblidhte informacione për temën e doktoratës, ka lënë qelinë dhe është drejtuar për në ambasadën britanike. Bashkëshortja e tij Daniela Tejada, e cila apeloi për mëshirë, u shpreh shumë e gëzuar, “mezi pres të kthehemi në shtëpi”, tha ajo. Emiratet e Bashkuara Arabe vendosën faljen e tij pas një seri kërkesash drejtuar vendit, por pavarësisht kësaj, autoritetet lokale shprehen 100 për qind të bindura se Hexhs është një agjent i shërbimeve sekrete. Akuza në fjalë ishte hedhur nga bashkëshortja e 31-vjeçarit, pavarësisht një videoje të publikuar nga autoritetet ku akademiku pranonte se ishte një agjent i MI6-s. “Ishte një makth i vërtetë që zgjati për 7 muaj, por tani mezi pres ta përqafoj dhe të kthehemi në shtëpi”, deklaroi Daniela Tejada. Kryeministrja britanike Thereza Mej, përmes zëdhënësit të saj falenderoi autoritetet arabe për vendimin. “Sikurse e kemi thënë, ne nuk biem dakord me akuzat për spiunazh, por i jemi mirënjohës qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për zgjidhjen e këtij problemi”, tha zëdhënësi. Ndërsa ministri i Jashtëm, Xheremi Hant deklaroi se qeverisë britanike nuk i ishte paraqitur asnjë provë për akuzat e spiunazhit. Por, agjent sekret apo jo, rasti i Hexhs kishte kompleksitetin e vetë për faktin se Emiratet e Bashkuara Arabe janë një aleat i ngushtë i Mbretërisë së Bashkuar. Dhe në këto rrethana, autoritetet duket se i dhanë më shumë përparësi marrëdhënieve dypalëshe sesa aktivitetit të 31-vjeçarit, dënimi i të cilit me burgim të përjetshëm mund t’i hapte një sërë problemesh vendit, njësoj si rasti i gazetarit Xhamal Kashogi që vuri në pozitë të vështirë Arabinë Saudite përballë Perëndimit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!