Akuzat për sulm kibernetik, Gjermania thërret ambasadorin rus

schedule16:10 - 3 Maj, 2024

schedule 16:10 - 3 Maj, 2024

Ministria e Jashtme gjermane thirri ambasadorin rus në Berlin pasi një hetim i qeverisë federale zbuloi se pas sulmeve kibernetike të vitit 2023, duke përfshirë faqen e internetit të Partisë Social Demokrate Gjermane (SPD), një nga forcat kryesore politike në qeveri, qëndronte një grup hakerash të financuar nga Moska.

Ministrja Annalena Baerbock e cilësoi ngjarjen si të patolerueshme. “Me fjalë të tjera, ka pasur një sulm kibernetik të mbështetur nga Rusia kundër Gjermanisë dhe kjo është absolutisht e patolerueshme dhe e papranueshme, tha ministrja e Jashtme gjermane, duke paralajmëruar pasoja për Rusinë.

Grupi APT28, i njohur gjithashtu si Fancy Bear dhe Pawn Storm, është një rrjet kriminelësh kibernetikë që besohet se janë të lidhur me shërbimet sekrete të Kremlinit. Arsyeja e sulmit mund të lidhet me hakmarrjen për vendimin e qeverisë gjermane për të dërguar tanke në Ukrainë. Sipas inteligjencës gjermane, sulmi i vitit 2015 në Bundestagun i atribuohej gjithashtu këtij grupi.

Një muaj më parë, shërbimi informativ i Sigurisë (Bis) i Republikës Çeke kishte denoncuar përpjekjet për të ndikuar në votën evropiane nga politikanë të lidhur me Moskën në Belgjikë, Francë, Gjermani, Hungari, Holandë dhe Poloni.

Sot, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dënuan incidentin.

“Fushata kibernetike keqdashëse tregon modelin e vazhdueshëm të sjelljes së papërgjegjshme të Rusisë në hapësirën kibernetike, duke synuar institucionet demokratike, organet qeveritare dhe ofruesit e infrastrukturës kritike në të gjithë Bashkimin Evropian dhe më gjerë.”, tha Josep Borrell./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!