Akuzat për lobim në PE, eksperti: Eva Kaili pranoi se ka marrë para, kjo përgënjeshtron mohimin që bëri Katari

schedule13:45 - 20 Dhjetor, 2022

schedule 13:45 - 20 Dhjetor, 2022

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Brenton Kotorri, i ftuar në Abc Live foli për skandalin për korrupsion që ka përfshirë PE-në lidhur me Katarin. Autoritetet belge po vijojnë hetimet për eurodeputeten greke, Eva Kaili dhe bashkëpunëtorët e tjerë që akuzohen se kanë marrë ryshfet.

Ai tha se fakti që eurodeputetja greke ka pranuar se ka marrë para dhe se i ka kërkuar të atit që t’i fshehë përgenjeshtron deklaratën e Katarit, i cili mohoi përfshirjen në këtë çështje. Siç shtoi eksperti, dyshimet lindën pas një deklarate që eurodeputetja bëri në Parlament për Katarin.

LEXO EDHE: Skandali i korrupsionit në PE, eurodeputetja greke rrëfen se i ka kërkuar të atit të fshihte 750 mijë eurot

“Hetuesit thonë se dyshimet i ka ngritur një fjalim i Eva Kailit në PE. Në nëntor pasi kishte bërë një vizitë gjysmë zyrtare në Katar dhe ajo thotë se është një vend me progres të madh me të drejtat e njeriut, të emigrantëve. Kjo ka ngritur vetullat për europarlamentarët e tjerë.

Një person që thotë se Katari po bën progres sigurisht që ngre shqetësim. Është një flamur i kuq dhe hetuesit do të shqyrtojnë se çfarë ka ndodhur.”, tha ai. Sipas tij, në fakt hetimet për lobim kanë nisur që në vitin 2010 nga dy gazetarë francezë kur fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës.

“Në fakt akuzat që përdor para për të lobuar kanë nisur që në 2010 me dy gazetarë francez që nisën një hetim për të kuptuar se Katari fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës ndërkohë që në garë ishte dhe SHBA. Atëherë ka nisur një hetim që të zbulohet nëse Katari ka lobuar me të gjitha mjetet për Kupën e Botës.”, tha eksperti. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!