Pak kohë pasi “Rithemelimi” hodhi akuza ndaj tyre për mos vënien në dispozicion të vendimit, Gjykata e Apelit ka reaguar publikisht duke thënë se sot do të caktohet trupa gjykuese nëse do të pranohet apo jo kërkesa e bërë nga Ivi Kaso për mos pranimin e ankimimit të Enkelejd Alibeajt. Shorti për caktimin e gjyqtarit relator do të hidhet sot në orën 15:30.
Mes të tjerash Gjykata e Apelit ka bërë thirrje politikës që të shmangë sulmet që cënojnë besimin e gjyqësorit, ndërkohë që e cilësojnë si të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues.
Kujtojmë se dy ditë më parë përmes një deklarate zyrtare, Floriana Garo ka kërkuar në emër të Partisë Demokratike vendimin e Gjykatës së Apelit e cila në Dhomë Këshillimi ka pranuar ankimimin e Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri për njohjen e statutit të 11 Dhjetorit.
Sipas Garos, kjo është bërë pengesë për të ankimuar këtë vendim në kundërshtim të plotë me ligjin. Garo ka paralajmëruar në emër të PD-së, kallëzim penal për shpërdorim detyre për cilindo personazh që pretendohet nga kjo parti se janë të përfshirë.
DEKLARATË
PËR MEDIAN DHE PUBLIKUN
Gjykata e Apelit Tiranë, duke vlerësuar maksimalisht të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve, kryesisht ato të lirisë së shprehjes dhe mendimit, sjell në vëmendje të opinionit publik se ato duhet të ushtrohen në respekt të të drejtave po aq themelore, që konkurrojnë me to.
Gjykata është e vetëdijshme për rolin e partive politike në një shoqëri demokratike, ndaj çdo debat publik mbi organizimin, mbarëvajtjen dhe ushtrimin e rolit të tyre në zhvillimin e shoqërisë, mbart në vetvete çështje të interesit publik.
Nga ana tjetër, po aq i rëndësishëm në një shtet të së drejtës është respektimi nga cilido i pavarësisë, autoritetit, legjitimitetit të pushtetit gjyqësor, si dhe shmangia e deklarimeve apo sulmeve që cenojnë besimin e publikut te trupa gjyqësore.
Referuar deklaratave tashmë të bëra publike, që shkojnë përtej debatit të brendshëm partiak, apo edhe opinioneve të shfaqura lidhur me këto zhvillime, Gjykata e Apelit Tiranë, e përgjegjshme për funksionin që i është ngarkuar, konsideron të papranueshëm çdo reagim dhe deklarim paragjykues, sulmues apo denigrues që synon të ushtrojë ndikim në marrjen e një vendimi të caktuar mbi këto çështje.
Për një shtet të së drejtës, sulme të tilla ndaj gjyqtarëve dhe gjykatave, të cilat perceptohen si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në veprimtarinë gjyqësore përpara marrjes së vendimeve prej tyre, janë të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht. Gjykata është dhe do të mbetet autoriteti i vetëm, që ka pushtetin dhe përgjegjësinë në dhënien e drejtësisë, ndaj si e tillë duhet respektuar.
Gjykata e Apelit Tiranë garanton cilindo se do të shqyrtojë me përgjegjshmëri, objektivitet, drejtësi dhe transparencë çështjet që i janë referuar për shqyrtim, duke mirëpritur çdo vërejtje konstruktive lidhur me veprimtarinë gjyqësore, por duke mos pranuar asnjë sulm denigrues ndaj saj, që lidhet drejtpërdrejtë me ushtrimin e funksionit dhe të misionit për të cilin është ngarkuar nga Kushtetuta.
/abcnews.al/