Akuzat e Aleancës për Teatrin, reagon delegacioni i BE: Takimi Soreca-Tusha nuk kishte lidhje me TK

schedule12:33 - 30 Qershor, 2021

schedule 12:33 - 30 Qershor, 2021

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri ka reaguar pas akuzave të bëra paraditen e së mërkurës nga Aleanca për Teatrin, në lidhje me takimin e ambasadorit Luigi Soreca në Gjykatën Kushtetuese.

Në reagim, delegacioni i BE i ka përgënjeshtruar akuzat e Aleancës duke i cilësuar si të bazuara në shpifje. Delegacioni konfirmon që Soreca është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha mëngjesin e 16 qershorit,  por ky takim sipas tyre, ishte pjesë e një serie takimesh që ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë.

Gjatë takimit, sipas asaj që thuhet në reagim, nuk ka pasur asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Kushtetuese për Teatrin Kombëtar.

REAGIMI

“Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri përgënjeshtron me forcë deklaratat bazuar në shpifje prej një përfaqësueseje të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar drejtuar Ambasadorit Luigi Soreca. Delegacioni i BE-së në Shqipëri konfirmon që Ambasadori Soreca është takuar me Kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Znj. Vitore Tusha, mëngjesin e 16 qershorit 2021. Takimi ishte pjesë e një serie takimesh që Ambasadori po zhvillon gjatë ditëve të fundit me të gjithë kryetarët e institucioneve të drejtësisë për të diskutuar mbi gjendjen e zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri. Gjatë takimit nuk pati asnjë diskutim në lidhje me çështjen e hapur në Gjykatë mbi Teatrin Kombëtar. Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe Ambasadori Soreca vazhdojnë të mbështesin fuqimisht dhe në mënyrë sistemike pavarësinë e të gjitha institucioneve gjyqësore shqiptare. Delegacioni i BE-së rezervon çdo të drejtë për të ndjekur ligjërisht deklaratat e bazuara në shpifje të bëra sot në media.”

Më herët gjatë ditës, Aleanca për Teatrin iu drejtua me një letër Gjykatës Kushtetuese me anë të së cilës kërkohet informacion i detajuar në lidhje me takimin që ambasadori i BE-së Luigi Soreca pati me drejtuesen e kësaj gjykate Vitore Tusha. s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!