Akuza për ngacmim seksual, demokratët: Të revokohet kandidatura e Trump

schedule08:28 - 27 Shtator, 2018

schedule 08:28 - 27 Shtator, 2018

Senatorët demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë kërkuar revokimin e kandidaturës së zgjedhur nga Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme. Reagimi i demokratëve ka ardhur pasi një tjetër grua ka akuzuar Bret Kavanah për agresion seksual, akuzë të cilën gjyqtari e ka mohuar.

Një grua e tretë ka akuzuar publikisht për agresion seksual të zgjedhurin e presidentit Donald Trump për drejtimin e Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, duke rënduar edhe më tej pozitën e tij. Gruaja, e identifikuar me emrin Xhuli Svetnik, ka denoncuar dhunimin e pretenduar në një deklaratë dërguar Komisionit Gjyqësor të Senatit amerikan, një ditë përpara seancës së konfirmimit të Bret Kavanah. Në deklaratë, Svetnik thotë se dhunimi ka ndodhur 30 vjet më parë, gjatë një feste të studentëve të shkollës së mesme, ku Kavanah ka qenë i pranishëm. Ajo akuzon kandidatin dhe persona të tjerë se fillimisht e kanë droguar dhe më pas e kanë dhunuar në grup, një akuzë kjo shumë më e rëndë se dy të parat që bënin fjalë vetëm për ngacmim seksual. Nga ana e tij, gjyqtari ka mohuar që një gjë e tillë të ketë ndodhur. “Kjo është qesharake! Unë nuk e njoh këtë grua dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur kurrë”, ka thënë Kavanah. Edhe presidenti Trump ka reaguar ndaj akuzave të reja, duke i cilësuar një inskenim të avokatit të Svetnik, i cili është njëkohësisht përfaqësuesi ligjor i aktores së filmave për të rritur Stormi Daniels, që pretendon se ka patur një lidhje me Trump. Ndërkohë, kryesenatori demokrat Çak Shumer ka kërkuar tërheqjen e kandidaturës së Kavanah. Ai ka nënvizuar se seanca për dëshminë e tij, e planifikuar për të enjten, duhet të shtyhet në mënyrë që FBI të hetojë akuzat. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!