Akuza nga Licët, Bajrajt telefonojnë gruan e Endri Mustafës: Nuk e kemi vrarë ne

schedule15:04 - 18 Maj, 2021

schedule 15:04 - 18 Maj, 2021

Ka reaguar sërish, Ingrid Mustafa, bashkëshortja e të 32-vjeçarit të vrarë, Endri Mustafa i cili u gjet i ekzekutuar buzë liqenit të Shkodrës në lagjen Guerrile gjatë paradites së djeshme.

Ajo ka thënë se ka marrë një telefonatë nga fisi i Bajrajve  ku i kanë deklaruar se nuk e kanë vrarë ata bashkëshortin e saj. E reja është shprehur se nuk ka asnjë konflikt mes fiseve, ndërsa ka bërë thirrje që ngjarja të zbardhet.

Ingrid Mustafa: “Na ka marrë fisi i Bajrave dhe na kanë thënë që ne nuk kemi lidhje me ngjarjen. Mediat janë duke na hapur fjalë shumë. Ne nuk e dimë kush e ka bërë këtë gjë. Vetëm një gjë dimë, dhe është që djali që ndodhet pas shtëpisë sonë, që po rri në shtëpi e di se çfarë ka ndodhur. Policia e zgjidh vetëm me atë. Ne s’kemi pasur marrëdhënie me asnjë prej fiseve.

Që burri im është vrarë për njërin fis apo për fisin tjetër kjo nuk është e vërtetë. Po na hapin fjalë shumë dhe kjo nuk është e drejtë. Policia dhe Kryeprokurori Olsjan Çela të kapin personin që e ka liruar policia sepse vetë ai e di ngjarjen se çfarë ka ndodhur. Burri im nuk ka pasur lidhje me asnjërin prej fiseve”, tha ajo.

Kujtojmë se më herët gjatë ditës së sotme Ingrid Mustafa ka hedhur poshtë edhe akuzuat e ngritura nga policia, duke thënë se i shpalluri në kërkim,  Ibrahim Lici nuk është autori i vrasjes së bashkëshortit të saj, Endri Mustafa.

Po ashtu një reagim sot ka ardhur edhe nga babai i Ibrahim Licit. Mustafa Lici ka radhitur një mori akuzash ndaj policisë, fisit Bajri dhe familjes së Astmer Bilalit pasi policia shpalli në kërkim Ibrahim Licin për vrasjen e Endri Mustafës në Shkodër.

Mustafa Lici shprehet se një muaj më parë, djali i tij Ibrahim Lici është hequr nga lista e të kërkuarve pasi ranë akuzat për vrasje. Ai shprehet se janë viktimë e një kurthi të përgatitur nga Bajrajt dhe Astmer Bilali, të cilët sipas tij kanë përdorur 15-vjeçarin Ergys Malja me qëllim që të thotë se krimin e ka kryer në bashkëpunim me Ibrahim Licin.

/abcnews.al/