Aktori Gaspard Ulliel vdes në moshën 37 vjeçare pas një aksidenti me ski

schedule01:21 - 20 Janar, 2022

schedule 01:21 - 20 Janar, 2022

Aktori francez Gaspard Ulliel, i cili do të shfaqet në serialin e ardhshëm televiziv të Marvel, Moon Knight, ka vdekur në moshën 37 vjeçare. Familja e tij i tha agjencisë së lajmeve “AFP” se ai vdiq të mërkurën pas një aksidenti me ski në Alpe. Ulliel është një nga aktorët më të njohur të Francës dhe është shfaqur në filmat “It’s Only the End of the World” dhe “Saint Laurent”.

Aktori ishte duke bërë ski në rajonin Savoie të martën kur u përplas me një person tjetër. Ai pësoi një traumë të rëndë në tru dhe u transportua me helikopter në një spital në Grenoble, ku vdiq të nesërmen. Skiatori tjetër nuk u shtrua në spital dhe një hetim është duke u zhvilluar raporton “BBC”.

Lajmi për vdekjen e tij erdhi vetëm një ditë pasi traileri i filmit “Moon Knight”, në të cilin ai luan si Midnight Man, u publikua në internet. “Kinemaja franceze po humbet një talent të madh, plot sharm dhe energji,” shkroi në Twitter ministri francez i financave Bruno Le Maire . Shkrimtari dhe kritiku Caspar Salmon bëri gjithashtu homazhe, duke e përshkruar Ullielin si “një aktor me magnetizëm, talent dhe bukuri të konsiderueshme, i cili kishte krijuar tashmë një karrierë mbresëlënëse dhe të larmishme”.

I lindur pak jashtë Parisit në 1984, Ulliel u shfaq në ekran që në moshën 11 vjeçare, por fitoi vlerësim ndërkombëtar për performancën e tij si Hannibal i ri në “Hannibal Rising” të 2007-ës. Ai fitoi çmimin Cesar për aktorin më të mirë që është ekuivalenti francez i Oscar në 2017 për interpretimin e tij përballë Marion Cotillard dhe Lea Seydoux në “It’s Only the End of the World”. Në vitin 2005, ai fitoi çmimin aktori më premtues për interpretimin e tij në dramën e Luftës së Parë Botërore “A Very Long Engagement,” ku luajti edhe Audrey Tautou.

Ai ka lënë pas djalin e tij të vogël dhe të dashurën e tij, modelen dhe këngëtaren Gaëlle Piétri. / abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!