Aktivitet me fëmijët në fshatin SOS, ambasadorja e futbollit gjerman Steffi Jones mbyll vizitën në Shqipëri

schedule16:16 - 23 Prill, 2024

schedule 16:16 - 23 Prill, 2024

Ambasadorja e futbollit gjerman Steffi Jones përmbylli me sukses vizitën e saj dyditore në Shqipëri, teksa sot kaloi një moment të veçantë me fëmijët e fshatit SOS në Tiranë. Në një vizitë zyrtare të shoqëruar nga anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha dhe Ambasadori Gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, ish-ylli i futbollit gjerman të vajzave u mirëprit nga Drejtoresha e Fshatit SOS, Mimoza Manaj dhe nga përfaqësues të tjerë të qendrës.

Ambasadorja e futbollit gjerman fillimisht vizitoi ambientet e brendshme të fshatit SOS dhe takoi nga afër pjesëtarët e një familje, ku bashkëbisedoi me të gjithë fëmijët dhe kaloi një moment të veçantë. Më pas, Steffi Jones dhe fëmijët u zhvendosën në fushë, ku të gjithë së bashku zhvilluan një ndeshje futbolli.

Në fund, ambasadorja e Gjermanisë për finalet e “Euro 2024”, Steffi Jones, në emër të FSHF-së u dhuroi fëmijëve nga një çantë me dhurata, teksa i falënderoi të gjithë përfaqësuesit e fshatit SOS për mikëpritjen e në veçanti Federatën Shqiptare të Futbollit, duke i uruar sa më shumë suksese në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.

Anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, i përcolli Steffit Jones falënderimet e përzemërta të FSHF-së dhe Presidentit Armand Duka dhe theksoi se Shqipëria do të bëjë më të mirën në finalet e Europianit “Gjermani 2024”.

Në vizitën e saj zyrtare, Sttefi Jones vizitoi edhe ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” ku u njoh me historinë e futbollit shqiptar, zhvilloi një diskutim të hapur me drejtues të FSHF-së, trajnerë dhe futbolliste, si edhe ndoqi një seancë stërvitore të ekipeve përfaqësuese rajonale të vajzave në “Shtëpinë e Futbollit”, ku bisedoi nga afër me futbollistet dhe trajneret vajza. /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!