Aktakuzë për spiunazh ndaj gazetarit amerikan të paraburgosur në Rusi

schedule18:41 - 13 Qershor, 2024

schedule 18:41 - 13 Qershor, 2024

Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Rusisë konfirmoi më 13 qershor një akuzë përfundimtare për spiunazh kundër gazetarit amerikan, Evan Gershkovich dhe e dërgoi çështjen e tij në gjykatën rajonale në Sverdlovsk.

“Hetuesit zbuluan dhe konfirmuan me dokumente se gazetari amerikan i gazetës Wall Street Journal, me kërkesë të CIA-s, në mars 2023 mblodhi informacion të klasifikuar në lidhje me operacionet e objektit industrial Uralvagonzavod, që prodhonte dhe riparonte pajisje ushtarake,” tha zyra në një deklaratë, duke shtuar se Gershkovich “kreu veprimet e paligjshme nën masa të plota maskimi”.

Shtetasi amerikan, 32-vjeçar, u arrestua në fund të marsit 2023 në qytetin Urals të Yekaterinburgut, derisa ishte në një udhëtim raportimi.

Autoritetet ruse nuk kanë ofruar asnjë provë për të mbështetur akuzat për spiunazh, të cilat The Wall Street Journal dhe qeveria amerikane fuqishëm i kanë hedhur poshtë.

Ata thonë se Gershkovich ishte thjesht duke bërë punën e tij si reporter i akredituar, kur u arrestua.

Departamenti amerikan i Shtetit tha në dhjetor se Moska hodhi poshtë një ofertë të rëndësishme që bëri për të siguruar lirimin e Gershkovich dhe Paul Whelan – një tjetër amerikan i burgosur në Rusi për akuzat për spiunazh.

Një tjetër shtetase amerikane e mbajtur aktualisht nga autoritetet ruse është Alsu Kurmasheva, një gazetare e Radios Evropa e Lirë, e cila u arrestua në Kazan, kryeqyteti i Republikës së Tatarstanit të Rusisë, në tetor të vitit 2023 dhe u akuzua për mosregjistrim si “agjent i huaj”.

Para arrestimit, Kurmashevës iu konfiskua pasaporta pas një vizite për t’u kujdesur për nënën e saj.

Radio Evropa e Lirë dhe qeveria amerikane thonë se akuzat kundër saj janë hakmarrje për punën e saj.

Shumë analistë dhe zyrtarë thonë se duket sikur Rusia po synon që qytetarët amerikanë të ndaluar t’i përdor për shkëmbimin e të burgosurve ose për qëllime të tjera gjeopolitike.

Rusia besohet se po kërkon lirimin e Vadim Krasikov, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në Gjermani në vitin 2021, për vrasjen e Zelimkhan “Tornike” Khangoshvili – një shtetas gjeorgjian me origjinë çeçene, i cili kishte luftuar me trupat ruse në Çeçeni dhe më vonë kishte kërkuar azil në Gjermani./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!