Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka njoftuar se të hënën do të udhëtojë drejt Hagës si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar. Lajmin e ka dhënë vetë ai me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.
Duke konfirmuar se të hënën niset drejt Hagës, Thaçi thotë se “deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.”
“Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës,” shton më tej presidenti kosovar.
Kujtojmë këtu se ditë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar në kuadër të Gjykatës Speciale njoftoi se Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit ka ngritur aktakuzë për krime lufte.
Postimi në Facebook:
Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,
Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.
Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën! HTH /abcnews.al/