Haradinaj kërkon ndërprerjen e dialogut me Serbinë pas akuzave ndaj krerëve të UÇK-së

schedule14:06 - 5 Nëntor, 2020

schedule 14:06 - 5 Nëntor, 2020

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nga një mbledhje urgjente që ka zhvilluar ditën e sotme, pas dorëheqjes së Presidentit Hashim Thaci ka dalë me një deklaratë për shtyp.

Në këtë deklaratë, kreu i saj Ramush Haradinaj ka kërkuar ndërprerjen e menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

Ndër të tjera Haradinaj deklaroi se AAK beson në drejtësi, në luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së.

Deklarata e Ramush Haradinaj:

Deklaratë nga mbledhja urgjente e Kryesisë së AAK

– Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po përcjellë me shqetësim zhvillimet pas aktakuzave të Dhomave të Specializuara për ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

– AAK beson në drejtësi, në luftën e drejtë çlirimtare të Kosovës dhe në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së! Lufta e UÇK-së ishte luftë çlirimtare dhe mbrojtëse, kundër pushtetit kriminal e gjenocidal serb, dhe do të dëshmohet si shumë herë më parë, pastërtia e saj.

– AAK kërkon:

1.Mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara. Qeveria duhet të ndërprejë menjëherë të gjitha aktiviteteve që lidhen me procesin e dialogut me Serbinë, deri në një situatë të re.

2.Mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme

3.Seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë

4.Takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese

– AAK pyet aleatët tonë strategjik ndërkombëtarë, se a jemi në rrugën e duhur për antarësim në NATO, apo këto ngjarje do e kthejnë Kosovën prapa?

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!