Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar për kapjen e qindra kilogramëve kokainë në territorin e Kosovës. Mehjithatë, ministri nuk ka dhënë detaje as për sasinë e saktë të lëndës narkotike dhe e as për arrestimet e të dyshuarve.
Sveçla ka thënë se është kapur një sasi e konsiderueshme e kokainës, teksa ka shtuar se Kosova do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale.
“Sot gjatë një aksioni të koordinuar me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë.
Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre.
Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit.
Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Forca të shumta të Policisë së Kosovës po qëndrojnë në hyrje të Lipjanit, aty ku dyshohet se ndodhet sasia e kapur e kokainës, që sipas informacioneve të para është rreth 400 kg.
400 kilogramë kokainë u kapën në një kontejner me mish që vinte nga Brazili dhe sipas raportimeve të mediave, bëhet fjalë për një operacion të kryer nën koordinimin e DEA-s (Agjencisë amerikane për luftën kundër drogës), të cilët kishin informacion që në origjinë për ngarkesën në fjalë duke i vendosur GPS për të parë se ku do të shkonte.