IKMT për të dytën ditë ndodhet në Velipojë, por aksioni i prishjes së objekteve në zonën e plazhit është ndërprerë pasi në terren ka mbërritur edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi.
Ajo ka kërkuar nga IKMT vendimin për prishjen e objekteve. Ademi shprehet se është përdorur emri i saj në këtë aksion pikërisht në ditën kur ajo ishte e ftuar në takimin për Turizmin.
Kryebashkiakja ka kërkuar te mosprocedohet me tej deri në momentin që do të ketë një vendim zyrtar të prishjes së objekteve, të cilin ka deklaruar se do ta bëjë publik para mediave.
Në të kundërt, Ademi paralajmëroi se do të kërkojë dëmshpërblim për dëmet që i janë shkaktuar bashkisë së Shkodrës, dhe sezonit turistik.
“Janë procesverbalë të dërguara në Gjykatë, unë ligjin e di shumë mirë. Unë pardje kam marrë një telefonatë nga ministria e Mjedisit dhe dje kemi qenë në takim. Kur unë po hyja në takim jam njoftuar që kishin filluar të rrethonin objektin.
Po përdorin edhe emrin e bashkisë Shkodër. Bashkia bën fjalë për procedura të ndjekura para disa vitesh, që kanë ndjekur një rrjedhë logjike dhe gjyqësore. ja kemi vënë në dispozicion. Kur ishte ministri këtu kemi diskutuar që mbase ishte rasti që të vlerësoheshin të gjithë ndërtimet në bregdet, që ishin stacione plazhi dhe shërbime.
Duhet të keni në konsideratë që policia e shtetit në momentin që i lejon duhet të marrë përgjegjësinë për ti dalë përballë njerëzve, Unë kam kërkuar zbatimin rigoroz jo selektiv të ligjit. Nëse bëhet fjalë për ndërtime pa leje kam kërkuar që në fillim të sezonit turistik të mos prishen, por të shihej mundësia e verifikimit dhe vënies në shfrytëzim. Nëse do kishte një vendim për prishje të bëhej në shtator.
Vendimet e djeshme duke përdorur emrin tim dhe emrin e bashkisë së Shkodrës, unë do përballem me ministrin, me IKMT, do të bëj ankesën time pranë autoriteteve ndërkombëtare. Të gjithë që paraqiten për të prishur duhet të shpjegoj edhe ligjin. Kur ka një vendim të IMT është bashkia Shkodër që jep urdhrin. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki që IKMT me procesverbal të bashkisë Shkodër të marrë urdhër. E bën urdhrin vetë për procesverbalet e veta.
Mungesa e transparencës, keqdashësisa, përdorimi politik, keqmenaxhimi në dëm të biznesit, dëmi që po shkaktohet edhe në këto momente se kjo është katrahurë. Është e domosdoshme të merret në konsideratë mirëmbajtja. Nuk rregullohet vendi duke shkatërruar. Ne ishim në mbledhje dje për këtë qëllim dhe këtu filluan prishjet. Unë do rri gjithë ditën këtu dhe nëse ka një vendim për prishje unë kam nevojë ta shoh vendimin dhe t’ia tregoj gjithë medias. Nëse ka vendim për prishje do të duhet ta shohim me të gjitha klauzolat që parashikon ligji.
Nuk mund të kemi për njërin ndryshe dhe për tjetrin ndryshe. Ajo që unë pretendoj është që për të gjithë ndërtimet mos bëhen në muajin qershor. Në qoftë se ka një vendim të mos bëhen tani, të shtyhen. Në momentin që po flasim shumë biznese kanë aplikuar për stacione plazhi, edhe këto bizneset këtu, flitet edhe për vendet e shërbimit.
Pse duhet të prishen. Unë dje nuk kam qenë. Ndërhyrja është e paligjshme dhe unë po pres që të kemi urdhrin me shkrim. Ne do të kërkojmë zhdëmtimin që i kanë shkaktuar të gjithë bizneseve, bashkisë së Shkodrës, sezonit turistik të Bashkisë Shkodër”, tha Ademi.
Inspektorët u ndeshen edhe në rezistencën e pronarëve objektët e të cilave preken nga plani i prishjës së IKMT-së.
“Është komplet paligjshmëri. Ja dokumenti. Ne jemi në proces gjyqësor në gjykatën administrative”, thotë një prej përfaqësueve të bizneseve.
Ditën e djeshme në Velipojë janë prishur 27 objekte të përkohshme. Ndërsa pas ndërhyrjes së kryetares së Bashkisë Voltana Ademi situata ka mbetur pezull ndërsa fadromat kanë qëndruar të pa lëvizura. /abcnews.al