Aksioni i policisë serbe në ambientet e Universitetit të Beogradit shkaktoi tension dhe përplasje mes tyre dhe studentëve.
Policia deklaroi se në ambientet e Universitetit të Beogradit kishin shkuar si pjesë e një hetimi për vdekjen e një studenteje 25 vjeçare, të premten e kaluar.
Ajo ra nga dritarja e një ndërtese brenda në kompleksin universitar, por rrethanat për vdekjen e saj janë ende të paqarta.
Por për rektorin e Universitetit të Beogradit, Vladan Djokiç tha se policia hyri në ndërtesë pa një shpjegim të vlefshëm ligjor duke kërkuar dokumente dhe disa kompjuterë.
Për largimin e turmave, policia përdori shkopinj gome, ndërsa protestuesit iu drejtuan me thirrjet “qen” dhe “tradhtarë”, apo “Mund të bastisni ambientet e universitetit, por jo ndërgjegjen e njerëzve”.
Dragan Vasiljeviç, drejtor i policisë serbe, tha se oficerët po vepronin me urdhër gjykate kur hynë në zyrat e universitetit, për të kërkuar prova në lidhje me vdekjen e studentit.
Ai tha në një konferencë për shtyp në Beograd se policia kishte gjetur fishekzjarre, radio dore, maska gazi, banderola dhe furnizime të ndihmës së shpejtë gjatë kontrollit.
Protestat antiqeveritare kanë përfshirë Serbinë që nga dhjetori i vitit 2024, një muaj pasi 16 persona vdiqën në tragjedinë e Novi Sadit.
Protestuesit, udhëheqësit e opozitës dhe mbikëqyrësit e të drejtave të njeriut kanë akuzuar presidentin populist serb Aleksandar Vuçiç dhe aleatët e tij për korrupsion, lidhje me krimin e organizuar, dhunë kundër kundërshtarëve politikë dhe shtypje të lirisë së medias. Vuçiç dhe aleatët e tij i kanë mohuar akuzat.


