Aksion kundër “Call Center-ave” në Kosovë, arrestohen 14 persona në Prishtinë

schedule22:36 - 8 Nëntor, 2022

schedule 22:36 - 8 Nëntor, 2022

Autoritetet në Kosovë kanë arrestuar 14 persona, punonjës të “Call Center” (Qendër e Thirrjeve) në Prishtinë.

Të arrestuarit dyshohen për veprat penale: “hyrje në sistemet kompjuterike”, “mashtrim” dhe “pastrim parash”.

I dyshuari kryesor në këtë rast, sipas autoriteteve, është shtetas i huaj.

Prokuroria Speciale e Kosovës tha se ky aksion është ndërmarrë pas hetimeve disamujore në bashkëpunim me autoritetet e Gjermanisë.

“Ekziston dyshimi i bazuar se këta persona kanë regjistruar si biznes ‘Qendër të Thirrjeve’ në Kosovë dhe përmes saj kanë komunikuar përmes telefonit me shtetas të ndryshëm përfshirë edhe gjermanë. Gjatë komunikimeve kanë arritur t’i mashtrojnë të dëmtuarit duke i shtyrë që të investojnë në platforma të ndryshme digjitale gjoja për investime. Për realizimin e mashtrimit të dyshuarit kanë përdorur edhe sistemin kompjuterik-përdorimi i softuerëve për qasje nga distanca si dhe krijimi dhe përdorimi i faqeve në internet”, u tha në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Sipas Kodit Penal të Kosovës për veprën penale “hyrje në sisteme kompjuterike”, nëse një person ka shkaktuar dëm prej 10.000 eurosh, atëherë ai mund të dënohet nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim.

Për veprën penale të “mashtrimit”, ndëshkimet bazohen në dëmin material të shkaktuar dhe varojnë nga tre muaj deri në 10 vjet burgim.Ndërkaq, për veprën penale “shpërlarje e parave”, parashihet dënim me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.

Gjatë aksionit të zhvilluar në disa lagje të Prishtinës më 8 nëntor, Prokuroria bëri të ditur se janë sekuestruar një sërë provash, përfshirë dy vetura, 167 kompjuterë, tre laptopë, telefona mobilë dokumente të ndryshme dhe prova tjera elektronike.

Të 14 personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh./REL/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!