Një kamion dhe një minibus shkolle janë përplasur këtë të hënë, në provincën Gauteng të Afrikës së Jugut, duke lënë të paktën 13 fëmijë të vdekur.
Associated Press shkruan se të paktën 11 nxënës kanë humbur jetën në vendngjarje, ndërsa dy të tjerë ndërruan jetë në spital nga plagët e marra.
Mjeti privat po transportonte nxënës drejt shkollave fillore dhe të mesme në jugperëndim të Johannesburgut, kur incidenti ndodhi rreth orës 7 të mëngjesit.
Dëshmitarët thanë se minibusi që mbante fëmijët po parakalonte automjete të ndaluara kur u përplas kokë më kokë me kamionin. Policia tha se ngjarja po hetohet dhe se shoferi i kamionit do të merret në pyetje.
Ministri i departamentit provincial të arsimit, Matome Chiloane, u tha gazetarëve se edhe shoferi i autobusit të shkollës do të hetohet për mundësinë e drejtimit të pakujdesshëm.
Shërbimet e emergjencës në Gauteng transportuan pesë pacientë në Spitalin Sebokeng, ndërsa dy të tjerë u dërguan në Spitalin Kopanong për kujdes të mëtejshëm mjekësor. Edhe shoferi i autobusit u plagos dhe ishte mes të dërguarve në spital.
Prindërit u panë duke qarë pa kontroll në vendin e aksidentit, ndërsa shërbimet e emergjencës po mblidhnin libra dhe materiale shkollore.
Presidenti Cyril Ramaphosa shprehu trishtimin e tij për humbjen e jetëve, duke thënë se autoritetet kombëtare dhe provinciale do t’u ofrojnë familjeve dhe shkollave mbështetjen e nevojshme psikosociale.
“Fëmijët tanë janë pasuria më e çmuar e kombit dhe ne duhet të bëjmë gjithçka, nga respektimi i rregullave të qarkullimit deri te cilësia e shërbimeve të transportit,” tha Ramaphosa.
Ministrja e arsimit bazë të vendit, Siviwe Gwarube, tha se shumë aksidente që përfshijnë transportin e nxënësve shkaktohen nga gabimet e shoferëve. Ajo gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve të transportit të sigurojnë që mjetet e ngarkuara me transportin e fëmijëve të jenë të përshtatshme për qarkullim.


