Aksidenti, Zaev: Gjithçka për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit

schedule23:59 - 13 Shkurt, 2019

schedule 23:59 - 13 Shkurt, 2019

Liderët politikë në Ballkan kanë reaguar lidhur me aksidentin e së mërkurës në Maqedoni. Kryeministri Zaev ka deklaruar se do të bëjë gjithçka për familjet e viktimave dhe të mbijetuarit, ndërsa Ali Ahmeti, Ramush Haradinaj dhe Edi Rama kanë shprehur pikëllimin e tyre.

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka shprehur dhimbjen dhe pikëllimin e tij në lidhje me aksidentin e ndodhur në aksin Shkup-Tetovë, ku humbën jetën 13 persona. Ndërsa u ka bërë ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave, Zaev ka theksuar se, qeveria po mobilizon të gjitha forcat dhe kapacitetet për të ndihmuar të mbijetuarit që janë në rrezik për jetën, në mënyrë që të kthehen sa më shpejt tek të dashurit e tyre. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një mesazhi në profilin e tij në Facebook , ka ndarë dhimbjen e tij me familjarët e viktimave.

“Do të jemi pranë tyre dhe të lënduarve, duke vijuar me mobilizimin maksimal të zjarrfikësve, policëve dhe mjekëve për t’iu ardhur në ndihmë të gjithëve”, ka thënë Ahmeti.

Përmes Twitterit, kryeministri shqiptar Edi Rama ka shprehur pikëllimin e tij për tragjedinë e autobusit në vendin fqinj.

“Numri i viktimave e të plagosurve ka tronditur e shqetësuar aq shumë familje. U jemi pranë shpirtërisht të gjitha familjeve dhe të gjithë vendit mik”, ka thënë Rama.

Nga Kosova, kryeministri Ramush Haradinaj është shprehur i tronditur nga ngjarja, të cilën e ka konsideruar një tragjedi të rëndë.

“Një tragjedi që po prek shumë familje, me dhjetëra të lënduar e për fat të keq shumë të vdekur. Ngushëllime të sinqerta për familjet që humbën të dashurit e tyre dhe shërim sa më të shpejtë për të lënduarit”, ka thënë Haradinaj në Facebook.

Edhe presidenti Hashim Thaçi, po përmes rrjeteve sociale, u ka shprehur ngushëllimet më të thella familjeve dhe u ka uruar shërim të shpejtë të lënduarve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!