Aksidenti tragjik në Tepelenë/ Eksperti: Shkak shpejtësia, duhet rishikimi i dispozitave të Kodit Rrugor

schedule18:39 - 18 Mars, 2024

schedule 18:39 - 18 Mars, 2024

Një aksident tragjik ndodhi të dielën në aksin rrugor Tepelenë-Memaliaj, ku për pasojë humbën jetën 4 persona.

I ftuar në “Special Report”, eksperti i sigurisë rrugore, Islam Qibini ka zbuluar se shkak u bë shpejtësia e automjetit tip Benz.

“Ishte një aksident i rëndë me pasoja fatale. Në radhë të parë u shpreh ngushëllime pjesëtarëve të familjes, për humbjen e familjarëve. Duke parë nga pamjet filmike vëm re që kemi një devijim të automjetit tip Benz, duke kaluar nga korsia e djathtë në krahun e majtë. Edhe për pasojë është përplasur me dy vetura që qarkullonin në drejtimin nga Memaliaj për në qytetin e Tepelenës. Kemi tre automjete të përfshira në aksident”.

Më tej, ai tha se për parandalimin e aksidenteve përveç zbatimit të rregullave të qarkullimit rrugore duhet sensibilizim i opinionit publik. Sakaq, eksperti ka theksuar se duhen rishikuar dispozitat e kodit rrugor.

“Është një pakujdesi nga ana e drejtuesit të autoveturës tip Benz. Kemi një pakujdesi, e cila është shprehur për shkak të një segmenti rrugor që ishte me lagështi dhe për pasojë drejtuesi i automjetit duhet patjetër të kontrollonte shpejtësinë e automjetit në përshtatje me sipërfaqen e rrugën. Kemi gomat e automjetit, që mund të kenë qene të konsumuara ose për shkaqe si përdorimi i telefonit në timon. Në rastin konkret, duke pasur parasysh që do të kemi dhe shtim të automjeteve, duhet të kemi patjetër zbatim i rregullave rrugore, por kjo nuk mjafton, duhet sensibilizim i opinionit publik, me qëllim që drejtuesit e automjeteve të zbatojnë rregullat e qarkullimit rrugor, duhet të vendosin rripin e sigurimit, nuk duhet të përdorin celular, duhet të mos përdorin pije alkoolike. Sigurisht që ministri i Brendshëm, i është paraprirë këtyre ngjarjeve. Duhet të ketë një bashkëpunim institucional mes Ministrisë së Arsimit dhe Policisë Rrugore, me qëllim që të ndikojnë drejtpërdrejt për ndalimin e aksidenteve. Gjithashtu duhet që masat administrative të jenë të rrepta dhe një herë në gjashtë muaj duhet që një drejtues t’i nënshtrohet kontrollit ndryshe nga ajo që është tani 1 vit”./abcnews.al