Aksidenti tragjik në Holandë, dëshmitë e pasagjerëve: Ishte si një film, ndjemë një goditje të fortë

schedule10:12 - 4 Prill, 2023

schedule 10:12 - 4 Prill, 2023

Holanda është tronditur nga tragjedia me një të vdekur dhe 30 të plagosur, si pasojë e përplasjes së një treni pasagjerësh me një makinë ndërtimi pranë  fshatit Voorschouten, midis Hagës dhe Leiden.

Sipas asaj që është bërë e ditur, treni ka dalë nga shinat si pasojë e përplasjes me një makinë ndërtimi.


“Ishte si një film, dritat u fikën, u bë errësirë, njerëzit po përpiqeshin të dilnin nga treni,” tha për mediat 20-vjeçari Anwar, një nga rreth 50 pasagjerët në tren.

“Pashë tre të plagosur, dikush bërtiti, pashë se ishte shoferi i trenit. Kam ndihmuar disa njerëz që kishin shumë dhimbje. Ne thirrëm 112, ata mbërritën për 10 minuta. Na kanë ndihmuar edhe banorët e fshatit”, shtoi 20-vjeçari.

Pali, i cili po udhëtonte me miqtë e tij, foli për një “goditje të madhe”. “Pashë xhamin e thyer dhe më pas pashë pasagjerë të gjakosur nga vagonët e tjerë. Fatmirësisht nuk u lënduam”, tha ai.

Një nga të parët që ndihmoi pasagjerët e trenit ishte një fermer, shtëpia e të cilit është afër daljes nga shinat: “Disa u plagosën në kokë, të tjerë në këmbë.

Të parët që zbritën nga treni, ishin në gjendje shumë të keqe.

 “Nuk dinin ku të shkonin, në sytë e tyre shihja frikën. Njëri më tha se gjithçka ndodhi kaq shpejt, para se të mbyllte sytë ishte në dysheme. Nëse e keni parë shkatërrimin dhe jeni gjallë, jeni shumë me fat”, tha njeri prejt tyre.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, ofroi ngushëllimet për viktimat dhe familjet e tyre.

Deri më tani nuk dihet identiteti i personit që ka humbur jetën.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!