Aksidentet, spitalet nevojë për gjak/ Mjekët: Kërkesa plotësohet kryesisht nga dhurimet familjare

schedule15:54 - 2 Mars, 2025

schedule 15:54 - 2 Mars, 2025

Numri i lartë i aksidenteve në vend, ka shtuar nevojën për gjak, për shkak të ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas mjekes Viola Shano, pranë Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, situata është e qëndrueshme, por numri i dhuruesve vullnetarë mbetet ende në shifra shumë të ulëta krahasuar me ato familjarë.

“Ne kemi një rritje të numrit të rasteve të aksidenteve që na vijnë në urgjencë që kërkojnë trajtim me gjak. Për këtë gjë ne jemi munduar që nëpërmjet një programi gjithë vjetorë, të përfshijmë çdo institucion publik dhe privatë në mënyrë që të krijojmë rezerva dhe të kemi gjak sa më tepër. E vështirë është dhe ne mund të themi sërish që shifrat e familjarëve dhe vullnetarëve që dhurojnë është 75% dhuruesit familjarë dhe 25% ata vullnetarë, por, duke e krahasuar me 2024 kemi një rritje prej 28% të dhurimeve vullnetare, dhe kjo gjë është shumë e mirë krahasuar me 2023”.

Sipas mjekes Shano, në një ditë mesatarisht nevojiten 100 njësi gjak të dhuruara, për të përmbushur kërkesat e larta, por edhe në këtë rast mjekja thotë se vështirësia qëndron në sigurimin e grupeve të rralla.

“Mesatarisht ne kemi nevojë për 100 njësi gjak në ditë, për të plotësuar çdo kërkesë që paraqitet dhe këtë jemi munduar ta arrijmë, por, problemi qëndron tek grupet e rralla, se ne mund ti kemi këto sasi, por, mund të mos jenë ata që ne kërkojmë. Grupet e gjakut që kemi më shumë vështirësi mbeten ata rezus negativë, pasi shpërndarja në grupet vullnetare të dhuruesve janë më pak sesa ata me rezus pozitiv. Nëse do të flasim me ata rezus negativ, mbetet më i kërkuari pasi u jep të gjithëve, por, merr vetëm nga vetja e tij”.

Nga viti në vit, në vend janë zhvilluar fushata të shumë ndërgjegjësuese për të rritur numrin e dhuruesve vullnetarë, por, siç duket sensibilizimi i qytetarëve për të dhuruar lëngun e jetës mbetet ende i ulët, edhe pse shifra ka ardhur gjithnjë në rritje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!