Aksidentet me vdekje, Meçe: Duhet edukim dhe jo shtim gjobash

schedule18:35 - 4 Prill, 2023

schedule 18:35 - 4 Prill, 2023

Inxhinieri Arben Meçe, në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, duke iu referuar aksidenteve më të fundit që kanë ndodhur në vend, tha se këmbësori duhet të jetë po aq i disiplinuar me rregullat rrugore ashtu sikurse edhe drejtuesi i mjetit.

Inxhinieri theksoi se edukimi i qytetarëve është urgjent dhe kjo nuk mund të bëhet nëpërmjet gjobave. Ai shtoi se edhe pse është shtuar numri i gjobave nga policia ndaj personave që thyejnë rregullat, kjo nuk ka ndikuar në uljen e aksidenteve me pasojë vdekje.

“Jam kundër gjobave. Jam kundër regjimit policor. Edukimi bëhet edhe me metodë edukuese por edhe me ndëshkime. Ne jemi përdorues mjetesh dhe problemi më i madh që kemi është marrëdhëniet me qytetarët që lëvizin në rrugë. Nëse në qytet rrugët kanë prioritet qytetarin, kur dalim në rrugët interurbane prioritet duhet të jetë makina.

Në të gjithë aksidentet që ndodhin jashtë qyteteve policia kap së pari drejtuesin e mjetit. Ndërkohë kur ka vende të ndryshme në botë që i japin prioritet mjetit pavarësisht pasojës sepse në këtë mënyrë edukohet qytetari që mban përgjegjësi edhe për veten edhe për atë që dëmton. Nëse një aksident ndodh në autostradë, pse duhet të dënohet drejtuesi i mjetit. Ai mund të jetë në parametrat e vet. Nëse ka një viktimë që është qytetari po kaq viktimë është edhe ai që bën aksidentin. Ka një fatkeqësi që ikën por fatkeqësi është edhe ajo që ndodh tek personi që bën aksidentin. Ne duhet të jemi po kaq të mëshirshëm, të ndjeshëm ndaj situatës si ndaj atij që ikën dhe ndaj atij që e pëson.”, tha inxhineri./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!