Një 55-vjeçar ka rënë në prangat e policisë në Gjirokastër, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur dhe duke shkaktuar aksident me disa mjete.
Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë shtetasin me iniciale V. B., banues në Gjirokastër, i cili punon në Sektorin e Mirëmbajtjes pranë Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare.
Ngjarja ka ndodhur një ditë më parë në lagjen Varosh, ku 55-vjeçari, duke drejtuar një kamion në pronësi të bashkisë, është përplasur me 4 automjete të tjera.
Si pasojë e aksidentit, tre shtetas kanë mbetur të dëmtuar lehtë dhe kanë marrë ndihmë mjekësore.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.


