Eksperti i IT-së Gentian Progni deklaron me bindje se të dhënat e shqiptarëve kanë dalë nga zyrat e AKSHI-t. I ftuar në studion e ABC Live, ai tha se ky institucion ka bërë grumbullim të dhensh pa siguri.
Sipas Prognit është një grup politik i përfshirë në këtë grumbullim. Madje, eksperti thotë se në zyrën e AKSHI-t kontrollohen edhe llogari Facebook-u VIP. Eksperti shton më tej se prokuroria nuk ka bërë një hetim serioz që pas daljes së të dhënave të patronazhistëve.
“Mund të dënohet një vit një person që është IT i thjeshtë, pastaj kalon në provë. Kemi një kokë turku për të thënë bëmë diçka. Prokuroria nëse do kishte vullnet që në rastin e parë do të kishte bërë heqjen e eksesit në servera. Nuk është ndonjë dëm i madh nëse rri e-albania pa punë për të gjetur personin përgjegjës. Ne mund të bëjmë gjithë këtë bllokim por nuk del asgjë.
Nga kryqëzimi i databazave kemi faktin që në atë zyrë është bërë, por janë fshehur gjurmët. Unë u interesova vetë të bëj një hetim nga jashtë, pyeta një jurist dhe më tha se duhet të bësh një kërkesë në SPAK për të marrë të drejtën e një testimi nga jashtë. Bëra një kërkim dhe më doli një institucion shtetëror, alsirt. Kishte diku te 20 punonjës që bënte ruajtjen nga sulmet kibernetike.
Kam arritur në një konkluzion që AKSHI ka bërë grumbullim të dhensh pa siguri. Ka një grup interesi politik që është i përfshirë në këtë grumbullim. Informacionet janë të pafundme që në zyrat e AKSH- janë kontrolluar dhe Facebook vip, janë fshirë komente. Na rezulton se ata menaxhojnë edhe faqe FB, hapin edhe gmail, në një institucion shtetëror që bëjnë të dhënat e shqiptarëve”, u shpreh ai. g.v/abcnews.al