Me anë të një operacioni të heshtur, “top secret”, në fund të dhjetorit 2005, SHISH (Shërbimi Sekret Shqiptar) dhe disa oficerë të Policisë së Shtetit, kanë zgjidhur një nga ato çështje që pretendohet të mbahen përjetësisht sekret.
Një personazh enigmatik, i paraqitur si agjent i fshehtë i CIA-s (Central Intelligence Agency, ose në shqip, Agjencia Qendrore e Informacionit të SHBA) është deportuar me masa të rrepta sigurie drejt kufirit me Kosovën. Më tej të gjithë ata që e shoqëruan janë urdhëruar të heshtin. Një nga ato heshtje që duhen realizuar herë pas herë me qëllim për të mos i nxjerrë sytë vetes.
Një masë e marrë për shkak se publikimi i faktit do të nxirrte në shesh shumë të palara, dhe struktura të caktuara të shtetit do të gjendeshin jo vetëm zbuluar, por përmes gjykimit të shumëkujt do merrnin trajta qesharake. Kjo për faktin se në mes të kësaj historie ishin drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Rendit, SHISH-it si dhe Ambasada USA në Tiranë.
Njeriu i paraqitur si agjent i fshehtë i CIA-s ishte instaluar, në fillim të dhjetorit 2005, pranë selisë së Partisë Demokratike dhe shpejt ishte futur në shoqërinë e personazheve të ndryshëm që qarkullojnë në këtë zonë. Të cilët thënë të vërtetën e kishin begenisur, madje ky respekt kishte qenë edhe më i fortë, kur nga goja e tij dëgjonin për një njohje dhe miqësi të fortë me Kryeministrin aktual të vendit, Sali Berisha.
Dëshmitarë të shumtë kanë pohuar se njeriu që thoshte se quhej Aksel, kishte njohuri të shumta për Policinë e Shtetit dhe drejtuesit e saj. Madje, në biseda të zgjatura me njerëz, që kishte filluar ti konsideronte miq, Aksel Fonesi kishte nxjerrë disa “sekrete”, duke përmendur emra të ndryshëm drejtuesish të lartë të policisë, për të cilët agjencia e tij (CIA), kishte të dhëna për përfshirje në trafiqe e të tjera të ngjashme.
Në vazhdim Fonesi u kishte premtuar se së shpejti në Ministrinë e Brendshme, pikërisht në Policinë e Shtetit, falë të dhënave të tij, do të kishte një furtunë shkarkimesh të krerëve të saj. Porse në këto ujëra e sipër, Fonesi ishte marrë në një makinë (pa dëshirën e tij) nga agjentë të SHISH, duke mos u dukur më pranë selisë së PD.
Njeriu që thoshte se quhej Aksel Fonesi dhe se ishte agjent i CIA-s amerikane, kishte zbritur në Tiranë në fund të vitit 2004. Nuk dihet në ç’mënyrë, por ai lidhet shumë shpejt me drejtues të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB) të Ministrisë së Rendit. Pra, pasi i bind ata se ishte vërtet një agjent i CIA-s, madje i specializuar për ngritjen e punës operative në pikat e kalimit kufitar, ai bëhet i besueshëm, duke fituar respektin dhe shoqërinë e drejtuesve të SHKB.
Shpejt “agjenti i CIA-s” ftohet dhe mbahet si i shtëpisë edhe në zyrën vip të ish-ministrit të Rendit, Igli Toska. Në fakt, atje gjithmonë shkonte në shoqërinë e kreut të SHKB-së, Sami Rasha, i cili ishte kanakari i ministrit. Të tre së bashku kalonin orë të tëra në zyrën luksoze.
I krekosur “agjenti sekret i CIA-s” merrte pjesë në debat dhe jepte propozimet e vlerësimet e tij kryesisht për kandidaturat që do të emëroheshin në pikat e kalimit të kufirit në veri të vendit. Madje, ka dëshmi sipas të cilave “agjentit të CIA-s“ i shkonte shumë fjala dhe nuk e kishte për gjë të hiqte e të ngrinte në detyrë cilindo punonjës policie, për të cilin bindej se dinte ose jo të sillej “si e kërkonin standardet perëndimore”… Shkurt, kohë të arta. Shoqëri VIP, takime VIP, darka e dreka VIP. S’kishte si të bëhej më mirë.
Me kalimin e kohës dhe afrimin e zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, lëvizjet e agjentit u bënë më të sofistikuara. I njëjti mbante në brez një kobure, shihej shpesh në timonin një fuoristrade “Mitsubishi Pajero” të Policisë së Shtetit, që ishte njëra nga dy makinat e kreut të SHKB-së, lëvizte pothuaj përnatë në drejtim të Shkodrës por edhe në drejtim të pikave të tjera të kalimit të kufirit, natyrisht i mbrojtur nga qenia e tij si krahu i djathtë i kreut të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë. Një pozitë që bënte të hapeshin të gjitha dyert që i duheshin për të realizuar punë nga ato që tashmë vetëm hamendësohen. Më keq akoma, oficerë të lartë të Policisë së Shtetit pohojnë se Fonesi ka qenë prezent në disa operacione speciale të policisë.
Por, pasi zgjat për më shumë se gjysmë viti i freskët, fenomeni “agjent i CIA-s” në Ministrinë e Rendit, fillon të mbajë erë.
Një ditë të bukur, në muajin qershor, nga Ambasada USA në Tiranë, mbërrin në Ministrinë e Rendit një pusullë e çuditshme. Shkruhej që të verifikohej se cili ishte në të vërtetë njëfarë “Aksel Fonesi”, që rrinte pranë krerëve të SHKB-së. Porse kërkesa, që kalon edhe nëpër zyrën e ministrit të Rendit, duket përfundon në kosh. Madje, nuk i kthehet përgjigje as Ambasadës Amerikane në Tiranë.
Përfaqësuesit e shtetit më të fuqishëm e më demokratik të botës nuk tërhiqen. Është detyrë e tyre që të ruajnë nga njollosja shtetin që përfaqësojnë. Kështu, kërkesa përsëritet dhe i çohet drejtpërdrejtë në duar ministrit. Fillojnë verifikimet. Agjenti i CIA-s thirret dhe merret në pyetje. Thotë se nuk mund të tregojë se cili është për shkak të detyrës që ka, madje refuzon të tregojë edhe kartën e identitetit.
Dikur pranon se është kosovar. Gjendet edhe emri i tij i vërtetë – Naim A. Morina, banor në Malishevë të Kosovës. Kur shtrëngohet laku, Naimi pretendon se së shpejti në Tiranë do të vinte një nga shefat e tij, që t’i bindte se ai ishte vërtet një agjent i CIA-s. Jep adresa të njohurish në Kosovë. Në dy raste verifikohen.
I pari thotë: “E njoh Naim Morinën. Di që punon me policinë në Shqipëri”, ndërsa i dyti “di që është student në Shqipëri”. Gjithsesi, shqiptarët, më saktë përfaqësuesit e përkohshëm apo aksidentalë të shtetit të tyre, binden dhe vendosin ta dëbojnë andej nga kishte ardhur “agjentin e CIA-s”.
Natën e 9 korrikut 2005, një makinë e SHISH, e drejtuar nga një njeri i vetëm, dërgoi në pikën kufitare të Morinës, në Kukës, kosovarin që thoshte se ishte agjent i CIA-s. Oficeri i SHISH u kujdes që njeriu që shoqëronte, të kaptonte matanë kufirit. Madje, një çast kishte lëshuar djersë të ftohta, pasi policët e anës tjetër të kufirit kishin zbuluar se në pasaportën e lëshuar nga UNMIK, të “agjentit të CIA-s”, nuk kishte asnjë vulë që të vërtetohej hyrja në Shqipëri. Policët kërkuan shpjegime pafund, duke rrezikuar ta rikthenin “agjentin” mbrapsht.
Pas deportimit të njeriut që, duke u hequr si agjent i fshehtë i CIA-s, futi hundët edhe në politikën e kuadrit të Ministrisë së Rendit, si dhe mori pjesë në aksione në terren të policisë, u urdhërua një heshtje totale.
Deportimi pa zhurmë ishte pjesë e të njëjtës logjikë. Pra duke mos e bërë publike atë që kishte ndodhur, ruhej në maksimum brenda një numri të vogël njerëzish, fakti që “agjenti i CIA-s” nuk ishte gjë tjetër, veçse mashtrimi më i madh i radhës ndër shqiptarët.
Për më tepër, ishte dyshuar se “Axel Fonesi”, në të vërtetë Naim A. Morina, merrej me aktivitete të paligjshme, duke përdorur si mburojë pikërisht deklarimin se ishte një agjent sekret amerikan. Por që të dilnin në dritë këto të dhëna, do të duheshin muaj të kaluar dhe jo sipas formulës “ngjarja u qelb e zuri të mbante erë”. Pas humbjes së Partisë Socialiste në zgjedhjet e fundit, vetë krerët e Ministrisë së Rendit, në panik e sipër u përfshinë në akuza e kundërakuza, duke nxjerrë për pasojë edhe të palarat e njëri – tjetrit, në rastin konkret edhe “agjentin e CIA-s”.
Ndërsa heroi ynë, “agjent i CIA-s”, duket nuk mundi të gjejë në Kosovë parajsën e muajve të kaluar në shoqërinë e drejtuesve të SHKB-së dhe ish-ministrit të Rendit. Nderimet, begenisjet, drekat dhe darkat e bollshme, bisedimet e vendimet VIP e të tjera qejfe, si një fejesë në Dibër, që dihen ose nuk dihen. Duroi, duroi,… dhe u nis ta provojë edhe njëherë, këtë radhë duke e filluar nga selia e fituesve në zgjedhje./abcnews.al