Milani dhe Franck Kessie janë gjithmonë e më afër zgjatjes së bashkëpunimit mes tyre. Mesfushori ka edhe një vit kontratë, teksa prej kohësh po bisedohet në lidhje me firmosjen e kontratës së re.
“Presidenti” përfiton aktualisht 2.2 milion euro në sezon. Agjenti i tij kërkon 6 milion euro rrogë për lojtarin dhe Sportmediaset raporton se kuqezinjtë e kanë ngritur propozimin e fundit në këto shifra.
Drejtori sportiv i Milanit, Frederic Massara është takuar ditën e djeshme në Bologna me George Atangana, menaxherin e 24-vjeçarit nga Bregu i Fildishtë.
Kessie po luan në Olimpiadën e Tokios me kombëtaren e tij. Disa ditë më parë deklaroi se dëshiron të qëndrojë te Milani dhe do të firmosë kontratën e re sapo të kthehet në Milanello.
Deklaratë që gëzoi tifozët e shumtë të Milanit dhe thjeshtoi negociatat mes drejtuesve dhe agjentit të tij. 6 milion euro neto do të përfitojë lideri i mesfushës në kontratën e re, teksa vetëm disa detaje “pengojnë” marrëveshjen finale. /abcnews.al