Akademisë së Shkencave i shtohen 6 anëtarë të rinj, mes tyre ish-deputeti socialist dhe shkrimtari i njohur

schedule09:56 - 10 Korrik, 2021

schedule 09:56 - 10 Korrik, 2021

Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i janë shtuar 6 anëtarë të rinj.

Në një mbledhje të zhvilluar ditën e djeshme, janë votuar kandidatët për akademik të asociuar dhe gjashtë prej tyre janë shpallur fitues.

Mirëpo, mes tyre vihet re që është edhe ish-deputeti i Partisë Socialiste, Besnik Baraj, i cili në mars të 2021 deklaroi tërheqjen nga politika aktive. Gjithashtu është edhe shkrimtari i njohur shkodran, Stefan Çapaliku.

Ndërsa anëtarët e tjerë janë  Rrapo Ormëni, Fatbardh Sallaku, Gëzim Hoxha, Kozeta Sevrani.

Prof. dr. Besnik Baraj

Kandidat për titullin akademik i asociuar në shkencat e kimisë

Besnik Baraj është diplomuar për kimi industriale në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në vitin 1981, fushë në të cilën mbrojti doktoratën në vitin 1988 dhe fitoi titullin profesor i asociuar (1994) dhe profesor (2001). Është specializuar në Vjenë në spektroskopinë e plazmës dhe në Francë (Monaco) për përcaktimin e metaleve të rëndë në ekosistemet detarë me teknika instrumentale. U përfshi në projekte të rëndësishme industriale menjëherë pas diplomimit: në prodhimin e ferriteve të butë dhe në studimin e mikroelementëve në shëllirat nëntokësore. Ka marrë pjesë edhe në studimin e pikave të nxehta mjedisore të vendit. Ka përfaqësuar katedrën në projekte shkencore ndërkombëtare, si ai i monitorimit të bregdetit të Mesdheut. Botimet e tij shkencore në revista të njohura ndërkombëtare datojnë në fillim të viteve 1990. Profesor i ftuar në universitetin e Barcelonës dhe atë të Rio Grandes (Brazil), me një veprimtari të spikatur në fushën e kimisë analitike, oqeanografisë dhe ndotjes mjedisore. Ka 46 artikuj shkencorë të botuar (39 në revista të indeksuara jashtë vendit). Koeficienti i artikujve të botuar prej tij sipas indeksimit në Scopus-List është 11. Është bashkautor në tekste universitare të kimisë analitike. Kontributi i tij përfshin zgjerimin e fushave shkencore universitare, drejtimin shkencor të të rinjve, duke udhëhequr mbi 20 teza diplomash të shkallëve të ndyshme brenda dhe jashtë vendit.

Prof. dr. Fatbardh Sallaku

Kandidat për titullin akademik i asociuar në shkencat bujqësore

Fatbardh Sallaku është diplomuar si agronom i përgjithshëm në lnstitutin e Lartë Bujqësor, ku filloi menjëherë punë si asistent lektor. Studimet e doktoraturës i mbaroi më 1996. Nga viti 2010 dhe në vazhdim mban titullin profesor. Gjatë gjithë karrierës së tij pedagogjike ka ushtruar edhe funksione drejtuese: përgjegjës departamenti, dekan dhe rektor. Ka kryer specializime dhe kërkim shkencor në disa universitete europiane me fokus kryesor studimin dhe analizimin e aspekteve mjedisore që lidhen me tokën, degradimin dhe mbrojtjen e saj, problematikat e zhvillimit rural, politikat agro-mjedisore etj. Ka botuar mbi 60 artikuj shkencorë, nga të cilët 10 në revista shumë të njohura dhe të indeksuara të shkencave bujqësore, si: Ekologjia, Natyra dhe Mbrojtja (Ecology, Environment and Conservation); Revista për Kërkime në Shkencat e Agrikulturës (Research Journal of Agricultural Science); Revista e Inxhinierisë Ekologjike (Journal of Ecological Engineering); Revista e Ushqimeve Bujqësore dhe Natyrës (Journal of Food Agriculture and Environment). Ka marrë pjesë në shumë kongrese dhe konferenca shkencore ndërkombëtare, si dhe ka qenë organizator i disa prej tyre. Në vitin 2019 ka organizuar e drejtuar konferencën europiane të shkencës së tokës. Bashkëpunon me shumë universitete jashtë vendit, duke udhëhequr, bashkëpunuar ose marrë pjesë në shumë projekte kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka veprimtari intensive bashkëpunuese me pjesëmarrjen e tij në projekte të nivelit vendor apo rajonal në bashkëpunim me organizata dhe kompani ndërkombëtare dhe lokale, ku ka kryer shumë ekspertiza në pozicione të ndryshme si drejtues projektesh dhe ekspert ndërkombëtar apo lokal, për çështje të lidhura me politikën e përbashkët bujqësore të BE në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit rural.

Prof. dr. Gëzim Hoxha

Kandidat për titullin akademik i asociuar në fushën e arkeologjisë

Gëzim Hoxha është arkeolog në departamentin e antikitetit të vonë dhe mesjetës në Akademinë e Studimeve Albanologjike. Ka 38 vite pune dhe përvojë në kërkimet dhe sudimet arkeologjike. Pas përfundimit të studimeve universitare në Tiranë u dërgua për një kualifikin pasuniversitar në Universitetin e Marburg-ut. Fitoi gradën doktor i shkencave në vitin 2000 dhe titullin profesor në vitin 2009. Ka marrë pjesë dhe ka drejtuar 56 ekspedita dhe survey-e arkeologjike. Nga viti 2002 është anëtar korrespondent i Institutit Arkeologjik Gjerman. Pjesëmarrës aktiv në 32 aktivitete ndërkombëtare dhe mbi 50 aktivitete kombëtare për arkeologjinë dhe historinë e vjetër të Shqipërisë. Autor i 9 botimeve monografike apo teksteve. Një monografi me bashkautorësi në proces botimi në Berlin. Autor i 100 artikujve shkencorë, nga të cilët 76 si autor i vetëm. Ka botuar 9 artikuj në gjuhë të huaj. Rreth 30 shkrime të tij janë botuar gjermanisht, frëngjisht, anglisht, italisht e serbokroatisht, disa prej të cilëve në revista arkeologjike prestigjoze në Europë. Gëzim Hoxha është redaktor përgjegjës i revistës Iliria (në vitet 2001-2021) dhe përgatitës i botimeve voluminoze me akte të dy aktiviteteve ndërkombëtare në arkeologji. Është mësimdhënës i arkeologjisë në universitetet Shkodër e Tiranë dhe hartues i 5 programeve arkeologjike. Drejtues shkencor i 10 tezave doktorale.

Prof. dr. Kozeta Sevrani

Kandidate për titullin akademike e asociuar në informatikë

Kozeta Sevrani është diplomuar në Universitetin e Tiranës për fizikë e më pas për informatikë, ku mbrojti doktoratën në informatikë të aplikuar. Profesore në departamentin e statistikës e informatikës së aplikuar (2011). Me kontribute origjinale në krijimin e degës së informatikës ekonomike. Specializimet dhe eksperiencat universitare jashtë vendit: në Norvegji, Suedi, Austri, Spanjë, Zvicër, ShBA, Britani e Madhe, Kinë, Gjermani, Slloveni, Serbi, Greqi e Itali kanë theksuar profesionalizimin e saj si një specialiste në informatikë dhe në sistemet e informacionit. Punimet shkencore të saj janë botuar në revista me emër, si: Springer, Elsevier, Revista Europiane për Inxhinieri e Teknologji (European Journal of Engineering and Technology), Avancimi në Shkencë, Teknologji dhe Informacion (Advances in Science, Technology & Innovation). Një monografi e saj është botuar nga Springer. Rreth 80 artikuj shkencorë të saj raportohen të indeksuar në Resarchegate. Është hartuese dhe koordinatore e shumë projekteve të mëdha ndërkombëtare dhe organizatore e konferencës së përvitshme ndërkombëtare Sistemet e Informacionit dhe Teknologjitë Inovative (Information Systems and Technology Innovation). Është zgjedhur kryetare e komisionit të promovimit të titujve akademikë dhe e këshillit të botimeve. Është anëtare e Federatës Europiane të Simulimeve dhe kryetare e Këshillit të Statistikave të Shqipërisë. Është anëtare e komisionit të matematikë-informatikës dhe e njësisë së inteligjencës artificiale të Akademisë së Shkencave.

Prof. dr. Rrapo Ormëni

Kandidat për titullin akademik i asociuar në gjeofizikë

Rrapo Ormeni është specialist në fushën e sizmologjisë, me një veprimtari afro 40 vjeçare në këtë fushë. Pas diplomimit ka kryer specializime në fushën e analizës së të dhënave sizmike dhe vlerësimin e rrezikut sizmik në Gjermani e Austri. Doktor i shkencave në sizmologji në vitin 2007. Punimet e tij shkencore janë botuar në revista të njohura ndërkombëtare, si Tektonofizika. Numri i punimeve shkencore, monografive dhe përmbledhjeve të studimeve, është mbi 120, nga të cilët rreth 30 janë artikuj shkencorë. Themelimi i lëndëve të reja universitare, si Fizika e tërmeteve, bën pjesë në kontributet e tij akademike. Ka profilin dhe autoritetin shkencor të pranuar në rrjetet ndërkombëtare të sizmologjisë. Kontributet origjinale të Rrapo Ormënit lidhen me analizën e aktivitetit sizmik natyror dhe atij të induktuar, si dhe vlerësimin e rrezikut sizmik në vendin tonë. Ka botuar studime të veçanta për rajonalizimin sizmik, mbështetur në regjistrimet e rrjetit sizmologjik shqiptar, ligjësitë në sizmologji dhe metodologjitë bashkëkohore. Ka qenë organizatori kryesor i konferencës ndërkombëtare për gjeoshkencat dhe inxhinierinë e tërmeteve – sfidat për rajonin e Ballkanit, e cila u zhvillua në nëntorin e vjetshëm, duke u bërë konferenca e parë në këtë fushë mbas 40 vjetësh në vendin tonë.

Prof. Stefan Çapaliku

Kandidat për titullin akademik i asociuar në fushën e studimeve letrare

Stefan Çapaliku ka studiuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Tiranë dhe ka kryer studime pasuniversitare në Republikën Çeke, Itali dhe Angli. Përfundoi studimet doktorale më 1996 dhe në vitin 2009 mori titullin profesor. Mësimdhënës në Universitetin e Shkodrës dhe në Universitetin e Arteve përgjatë 15 vjetëve. Nga viti 2005 dhe në vazhdim është i angazhuar si studiues pranë ASA. Është autor i veprave monografike në fusha të historishkrimit letrar, estetikës dhe teorisë së letërsisë, midis të cilave: Fishta satirik, Prijës për gjeografinë dhe sociologjinë e letërsisë shqipe, Estetika moderne, Ars Albanica, On Albanian contemporary art, Sita estetike, Art in post-communist Albania. Është autor i 33 librave të botuar në gjuhën shqipe, nga të cilët 16 monografi, studime e tekste universitare. Ka përgatitur e botuar 6 bibliografi vetjake dhe tematike (vepra të plota); nga vepra e tij krijuese 26 tituj janë përkthyer në gjuhë të huaja (italisht, frëngjisht, anglisht, serbokroatisht, turqisht). Ka realizuar 24 kumtime-referate në konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare, në shqip e gjuhë të huaj. Ka botuar 46 artikuj shkencorë e njohës për historinë e letërsisë shqipe; çështje të estetikës dhe teorisë së letërsisë, me fokus të posaçëm shkrimtarët e ndaluar, dramatikën dhe satirën. Fitues i 10 çmimeve dhe mirënjohjeve brenda dhe jashtë vendit, duke përfshirë konkurse kombëtare e ndërkombëtare./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!