Akademia e arbitrimit, 90 gjyqtarë më shumë për futbollin

schedule14:39 - 1 Tetor, 2019

schedule 14:39 - 1 Tetor, 2019

FSHF po tenton të rekrutojë sa më shumë arbitra dhe prej viti të shkuar ka nisur projektin e saj, Akademia e arbitrimit. Ditën e sotme kanë nisur leksionet teorike dhe janë të shumtë të rinjtë që po zhvillojnë këtë kurs.

Në njoftimin e bërë nga FSHF, thuhet se janë regjistruar 90 studentë, mes tyre 14 femra. Gjatë kursit ata do të marrin njohuritë bazë të Rregullave të Lojës, të përgatiten fizikisht dhe të kenë të gjitha njohuritë e nevojshme që të bëhen arbitr-a/e.

Akademia e Arbitrimit, një nga prioritetet e mëdha të Federatës Shqiptare të Futbollit, ka filluar ditën e parë të muajit tetor leksionet teorike, duke hapur në këtë mënyrë vitin akademik për këtë kurs. Ky është edicioni i dytë që Sektori i Arbitrimit organizon këtë kurs për të rinjtë që dëshirojnë të bëhen pjesë e futbollit duke vendosur drejtësi në fushën e lojës.

Ndër të tjera thuhet se aplikantët janë të moshës 14-22 vjeç dhe kjo bëhet me orientim të UEFA-s dhe FIFA-s. Kursi ka dy faza, atë të prezantimit dhe më pas të konsolidimit. Leksionet do të jepen nga ekspertë të botës së arbitrimit shqiptar, psikologjisë sportive, mjekësisë sportive, përgatitës fizik dhe lektorë të gjuhës angleze.

Të diplomuarit në fund të kursit do të pajisen me diplomën “Arbitër i Kategorisë së Tretë” dhe karriera e tyre do të fillojë në Kolegjiumet e qyteteve nga vijnë, duke arbitruar në kampionatet e moshave, sikurse thuhet në njoftimin e  FSHF-së. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!