Policia e Kurbinit ka arrestuar një 17 vjeçar, të cilit iu kap një sasi lëndë narkotike, armë zjarri si edhe municione. Ai i fshihte ato në një banesën e tij, për të cilën policia u vu në dijëni përmes informacioneve të marra në rrugë operative.
Për më tepër, babai i tij nuk kishte dijeni për çfarë bënte i biri.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku jetonte ky shtetas, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, një armë zjarri pushkë dhe 50 fishekë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 17-vjeçari ka çuar në banesë lëndën narkotike, municionin luftarak dhe armën e zjarrit, pa dijeninë e të atit të tij”, njofton policia.
Njoftimi i plotë
Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Skuraj 2”.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.
Sekuestrohen një sasi lëndë narkotike e dyshuar cannabis, një armë zjarri dhe municion luftarak.
Vihet në pranga poseduesi i tyre.
Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë qarkun Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në fshatin Skuraj, Kurbin, një person posedonte në banesë lëndë narkotike dhe armë zjarri pa leje, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Skuraj 2”.
Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit A. M., 17 vjeç, banues në Skuraj.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku jetonte ky shtetas, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, një armë zjarri pushkë dhe 50 fishekë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 17-vjeçari ka çuar në banesë lëndën narkotike, municionin luftarak dhe armën e zjarrit, pa dijeninë e të atit të tij.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.