Ahmeti: Qeveria ka rekomanduar që Prishtina të hyjë në karantinë për një javë

schedule12:57 - 9 Nëntor, 2020

schedule 12:57 - 9 Nëntor, 2020

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti këtë të hënë ka deklaruar se pritet që për shkak të numrit të lartë të rasteve të reja me koronavirus Prishtina të mbyllet për një javë.

Ahmeti përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se  kryeqyteti tashmë është vendosur në zonën e kuqe.

“Duke marr parasysh që Prishtina pakrahasimisht ka numrin më të madh të testeve, dhe po ashtu numrin më të madh të banorëve ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve. Por, kjo nuk është marr parasysh”, ka shkruar Ahmeti.

Postimi i plotë:

Niveli qendror ka vendosur Prishtinën në zonën e kuqe duke rekomanduar mbylljen një javore për komunën tonë. Si arsyetim ka përdorur numrin aktiv të të infektuarve. Duke marr parasysh që Prishtina pakrahasimisht ka numrin më të madh të testeve, dhe po ashtu numrin më të madh të banorëve ne kemi kërkuar që kjo matje të bëhet me numrin e rasteve pozitive si përqindje e testeve.

Por, kjo nuk është marr parasysh. Po ashtu kemi kërkuar që të jemi më fleksibil edhe me biznese për shkak se në kohën kur nuk ka ndihma apo infuzion të parave në ekonomi nga qeveria edhe një goditje pak më e gjatë do të jetë fatale për to, por rrjedhimisht edhe për shëndetin të cilin e kemi primar.

Përderisa jemi plotësisht të vetëdijshëm për situaten epidemiologjike në vend, dhe kemi zbatuar dhe do të zbatojmë masat e ndërmarra nga qeveria, ndarja e Komunave me statistika (të infektuar në 100 mijë banor) kur as numri i infektuarve e as numri i banorëve nuk është i saktë jep pasqyrë të padrejtë dhe masa joproporcionale për komunat. Rrjedhimisht kjo nuk mund të adresojë situaten epidemiologjike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!